Rritja e prodhimit të energjisë elektrike nga impiantet fotovoltaike po ndryshon gradualisht strukturën e sistemit elektroenergjetik të Shqipërisë, ndërsa energjia diellore po merr një rol gjithnjë e më të madh në mbulimin e konsumit vendas.
Sipas të dhënave të Entit Rregullator të Energjisë (ERE), rreth 30 për qind e energjisë së konsumuar në Shqipëri gjatë qershorit 2026 u prodhua nga impiantet fotovoltaike. Ndërkohë, deri në fund të gushtit, prodhimi nga fotovoltaikët arriti në 868 GWh.
Eksperti i ekonomisë Fatos Çoçoli e konsideron këtë zhvillim si një ndryshim të rëndësishëm në strukturën e prodhimit energjetik të vendit, veçanërisht për shkak të varësisë historike të Shqipërisë nga hidrocentralet, transmeton Energy Monitor.
“Energjia diellore krijon një mekanizëm natyror diversifikimi”, shkruan Çoçoli, duke theksuar se prodhimi i lartë fotovoltaik përkon me muajt e verës, kur rritet edhe kërkesa për energji, veçanërisht për shkak të përdorimit të kondicionerëve.
Sipas tij, prodhimi fotovoltaik po kontribuon në mbulimin e kërkesës në periudhat e pikut dhe po redukton nevojën për energji të blerë nga tregjet rajonale.
Çoçoli argumenton se rritja e prodhimit vendas nga burimet diellore ka rëndësi edhe për sigurinë energjetike dhe ekonominë, pasi ul ekspozimin ndaj luhatjeve të çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe mund të ndikojë në përmirësimin e bilancit energjetik të vendit.
Ai e sheh zgjerimin e kapaciteteve fotovoltaike edhe si mundësi për zhvillimin e një sektori të ri ekonomik, përmes investimeve në ndërtim, instalim dhe mirëmbajtje të impianteve, si dhe në pajisje elektrike, sisteme të menaxhimit dhe ruajtjes së energjisë, përcjell Energy Monitor.
Sipas Çoçolit, kjo mund të ketë ndikim edhe në konkurrueshmërinë e bizneseve shqiptare, veçanërisht në industri, bujqësi, sera, hoteleri, qendra tregtare, magazina dhe logjistikë, ku kostoja dhe siguria e furnizimit me energji janë faktorë të rëndësishëm.
Një tjetër element që ai veçon është kombinimi i prodhimit diellor me atë hidroenergjetik. Energjia fotovoltaike ka prodhim më të lartë gjatë ditës dhe në muajt me rrezatim të madh diellor, ndërsa hidrocentralet mund të ofrojnë fleksibilitet më të madh në menaxhimin e prodhimit.
“Shifra prej 30% të konsumit të qershorit të mbuluar nga fotovoltaikët ka rëndësi përtej vetë volumit të energjisë. Ajo tregon se profili i prodhimit shqiptar po ndryshon”, shkruan Çoçoli.
Ai vlerëson se zgjerimi i fotovoltaikëve mund të nxisë paralelisht investime në projekte të reja diellore, sisteme hibride, bateri dhe teknologji të ruajtjes së energjisë, si dhe në rrjetet e transmetimit dhe shpërndarjes.
Sipas tij, sfida e fazës së ardhshme nuk është vetëm shtimi i kapaciteteve të prodhimit diellor, por edhe zhvillimi i infrastrukturës që mundëson transportimin, ruajtjen dhe menaxhimin e energjisë së prodhuar.
Në këtë kuadër, Çoçoli e sheh energjinë fotovoltaike jo më vetëm si burim alternativ, por si një komponent gjithnjë e më të rëndësishëm të sigurisë energjetike dhe zhvillimit ekonomik të Shqipërisë.



