Gjermania ka prezantuar një udhërrëfyes për eliminimin gradual të karburanteve fosile deri në vitin 2045. Ministri i Mjedisit tha se plani synon të garantojë pavarësinë energjetike, çmime të përballueshme dhe mbrojtjen e klimës.
Ekonomia më e madhe e Evropës bëhet vendi i tretë, pas Francës dhe Holandës, që paraqet një plan konkret për largimin nga lëndët djegëse fosile, në kuadër të angazhimit të marrë nga afro 200 shtete në konferencën e klimës COP28.
Vendimi lidhet edhe me luftën në Iran dhe ndikimin e saj në furnizimin global me karburante. Ministri gjerman theksoi se pasiguria në tregjet energjetike tregon nevojën për të reduktuar varësinë nga importet.
Në vitin 2024, karburantet fosile përbënin 65% të konsumit energjetik të Gjermanisë. Rreth 98% e naftës dhe 95% e gazit natyror importoheshin, me një faturë prej rreth 76 miliardë eurosh. Sipas ministrit, kostot janë rritur ndjeshëm që prej përshkallëzimit të konfliktit në Iran.
Organizatat mjedisore e kanë mirëpritur planin, por kanë kritikuar disa vendime të fundit të qeverisë që, sipas tyre, bien ndesh me objektivin e eliminimit të fosileve.
Në sektorin e transportit, strategjia parashikon që deri në vitin 2035, të gjitha makinat e reja të regjistruara të jenë elektrike me bateri. Objektivi vendos në qendër transformimin e industrisë gjermane të automjeteve, një nga shtyllat kryesore të ekonomisë së vendit, e cila po përballet me vështirësi dhe presion në kalimin drejt teknologjive elektrike.
Kalimi drejt energjisë së pastër pritet të kërkojë investime të mëdha në infrastrukturë, prodhimin e energjisë dhe rrjetet elektrike. Për Gjermaninë, sfida është të ulë varësinë nga importet e naftës dhe gazit, pa rritur më tej kostot për familjet dhe bizneset dhe pa dëmtuar konkurrueshmërinë e industrisë.
/scantv.al



