Home / Lajme / Makinat elektrike / Geely prezanton baterinë për vetura elektrike që karikohet në më pak se pesë minuta 

Geely prezanton baterinë për vetura elektrike që karikohet në më pak se pesë minuta 

Karikimi i veturave elektrike po bëhet edhe më i shpejtë, pasi prodhuesi kinez Geely Auto Group ka prezantuar një sistem të ri që mund ta çojë baterinë nga 10 në 70 për qind për vetëm katër minuta e 30 sekonda.

Geely, kompania kineze që zotëron edhe Volvo-n, ka përdorur inteligjencën artificiale për të përmirësuar performancën e karikimit të baterive të saj.

Në testime reale, veturat e kompanisë arritën të karikoheshin nga 10 në 70 për qind në vetëm 4 minuta e 30 sekonda.

Kjo është rreth 30 sekonda më shpejt se sistemi më i shpejtë i rivalit BYD, i cili për të njëjtin interval karikimi kërkon afërsisht pesë minuta.

Sipas Geely-t, në qendër të sistemit të ri “Smart Charging” është Xingrui PowerMind, një model i inteligjencës artificiale i zhvilluar së bashku me kompaninë StepFun.

Sistemi koordinon veturën, baterinë, pikën e karikimit, shërbimet cloud, rrjetin elektrik dhe sistemet e ruajtjes së energjisë.

Në këtë mënyrë, karikimi nuk kufizohet vetëm te furnizimi me energji, por përshtatet vazhdimisht në varësi të gjendjes së baterisë dhe kushteve të tjera.

Inteligjenca artificiale parashikon temperaturën e baterisë

Për të arritur këto shpejtësi, Geely përdor algoritme të inteligjencës artificiale që nuk presin derisa bateria të nxehet.

Sistemi mund të parashikojë temperaturën e baterisë deri në 30 sekonda përpara dhe të rregullojë fuqinë e karikimit në mënyrë dinamike.

Sipas kompanisë, qëllimi është që temperatura mesatare e baterisë gjatë karikimit të mbahet nën 55 gradë Celsius, ndërsa temperatura maksimale të mos kalojë 65 gradë.

Sistemi mbështetet edhe nga një zgjidhje ftohjeje me lëng që menaxhon temperaturën përgjatë gjithë procesit të karikimit, nga bateria e ruajtjes së energjisë dhe pika e karikimit, deri te kablloja, porta e karikimit dhe vetë bateria e automjetit.

Nga 10 në 97 për qind për më pak se nëntë minuta

Teknologjia u testua në dy modele, Lynk & Co 10 dhe Zeekr 001. Rezultatet treguan se të dyja veturat mund të kalonin nga 10 në 70 për qind karikim për më pak se pesë minuta.

Nga 10 në 97 për qind, procesi zgjati vetëm tetë minuta e 40 sekonda.

Sipas Geely-t, sistemi nuk synon vetëm shpejtësinë, por edhe ruajtjen e jetëgjatësisë së baterisë.

Për çdo veturë dhe bateri krijohet një strategji e personalizuar karikimi, ku përshtaten rryma maksimale, intensiteti i ftohjes dhe kohëzgjatja e karikimit.

Teknologji për të zgjatur jetën e baterisë

Sistemi i Geely-t përdor gjithashtu atë që kompania e quan teknologji të “rikthimit me impulse të joneve të litiumit”.

Kjo metodë përdor mikro-impulse të rrymës për të ndihmuar në riaktivizimin e joneve të litiumit që mund të grumbullohen në elektrodën negative pas shumë cikleve të karikimit të shpejtë.

Sipas kompanisë, kombinimi i këtyre teknologjive mund të rrisë jetëgjatësinë e cikleve të baterisë me rreth 20 për qind.

Gara mes prodhuesve kinezë po ashpërsohet

Lajmi vjen vetëm pak muaj pasi rivali BYD njoftoi plane për të instaluar 300 karikues ultra të shpejtë në Mbretërinë e Bashkuar deri në fund të këtij viti, me synimin që numri të rritet në 600 deri në vitin 2027.

Këta karikues do të instalohen në pika shitjeje të markës Denza, nënmarkë e BYD-it, si dhe në lokacione të operatorëve ekzistues të karikimit.

BYD pretendon se sistemi i saj mund ta karikojë një veturë pothuajse po aq shpejt sa zgjat mbushja e një rezervuari me karburant.

Kjo shpejtësi mbështetet në një fuqi karikimi deri në 1.5 megavat.

Për krahasim, kjo është rreth dhjetë herë më shumë se fuqia 150 kW që përdoret nga shumë karikues të shpejtë për vetura elektrike.

Çdo veturë elektrike me lidhje standarde CCS mund të lidhet me këta karikues, por shpejtësia reale do të varet nga sa energji mund të pranojë bateria në mënyrë të sigurt.

BYD ka bërë të ditur se për të arritur fuqinë maksimale do të nevojiten softueri i saj i posaçëm dhe gjenerata e re e baterisë Blade Battery 2.0.

Me këto zhvillime, gara për karikim sa më të shpejtë po bëhet një nga fushat kryesore të konkurrencës mes prodhuesve të veturave elektrike. /GazetaExpress

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com