Katër punëtorë të Korporatës Energjetike të Kosovës kanë humbur jetën gjatë vitit 2026 në aksidente në vendin e punës. Rastet fatale, dhjetëra aksidente të evidentuara gjatë viteve të fundit, masat e shqiptuara nga Inspektorati i Punës dhe problemet shëndetësore të zbuluara gjatë kontrolleve sistematike tregojnë për rreziqet me të cilat përballen punëtorët e KEK-ut.
Rasti i parë fatal gjatë këtij viti ndodhi më 27 shkurt, kur Mixhen Sadiku, punëtor i Departamentit të Sigurisë Fizike, u godit nga një kamion në hapësirat e Termocentralit “Kosova B”.
Disa muaj më vonë, Milazim Binaku pësoi lëndime të rënda gjatë kryerjes së detyrave në Fabrikën e Pajimeve Xehtare në Palaj dhe ndërroi jetë më 15 korrik.
Më 16 gusht jetën e humbi Haxhi Gojnovci, derisa ishte duke kryer detyrat në zonën e ekskavatorit, ndërsa vetëm katër ditë më vonë Arbenit Ahmeti humbi jetën pasi ra në kontakt me tensionin elektrik gjatë transportimit dhe zhvendosjes së kabllove.
Problemet në KEK, megjithatë, nuk kufizohen vetëm në katër rastet fatale të këtij viti. Të dhënat e Inspektoratit Qendror të Punës tregojnë se nga viti 2024 deri më tani janë trajtuar 32 raste të aksidenteve në vendin e punës dhe janë pranuar 24 ankesa nga punëtorët.
Nga 32 rastet, 21 kanë qenë në kompetencë të Inspektoratit dhe në të gjitha këto raste janë shqiptuar masa ndëshkimore për mosndërmarrjen e masave të përgjithshme dhe të veçanta për sigurinë dhe shëndetin në punë.
Njëmbëdhjetë raste të tjera kanë kaluar në kompetencë të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.
Inspektorati ka evidentuar mangësi edhe në pajisjet personale mbrojtëse të punëtorëve. Një prej çështjeve kryesore të ngritura është vlerësimi i detajuar i rrezikut në vendet e punës.
Sipas Inspektoratit, KEK-u ishte obliguar ta kryente këtë proces, ndërsa për moszbatimin e këtij detyrimi janë shqiptuar edhe masa ndëshkimore.
Vetë Inspektorati ka bërë të ditur se nuk posedon pajisje dhe personel të trajnuar për matje specifike të ekspozimit ndaj pluhurit, zhurmës dhe gazrave, prandaj këto matje duhet të realizohen nga kompani të licencuara.
Përtej aksidenteve, shqetësim paraqet edhe ndikimi afatgjatë që kushtet e punës mund të kenë në shëndetin e punëtorëve. KEK-u këtë vit ka lidhur kontratë me Qendrën Kombëtare të Mjekësisë së Punës në Gjakovë për kryerjen e vizitave sistematike.
Gjatë këtyre kontrolleve janë evidentuar veçanërisht probleme pulmonare, por edhe probleme me zemrën dhe sytë.
Drejtori i kësaj qendre, Shpejtim Skivjani, ka deklaruar se janë evidentuar edhe raste kancerogjene dhe se në të ardhmen mund të shfaqen raste të tjera.
Edhe Sindikata e Re e KEK-ut ka ngritur shqetësime për ekspozimin e punëtorëve ndaj pluhurit, gazrave, dridhjeve dhe faktorëve të tjerë industrialë. Përfaqësuesit sindikalë pretendojnë se një pjesë e sëmundjeve që paraqiten te punëtorët mund të lidhen me natyrën dhe kushtet e punës.
Sipas tyre, vlerësimi i rrezikut që është duke u zhvilluar do të tregojë më qartë nivelin e rrezikshmërisë në sektorë dhe pozita të ndryshme të KEK-ut.



