Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) po shqyrton një kredi deri në 36 milionë euro për kompaninë shtetërore të energjisë Elektrani na Severna Makedonija (ESM) në Maqedoninë e Veriut.
Financimi do të përdoret për modernizimin dhe rikonstruktimin e rrjetit të ngrohjes qendrore të Shkupit, si dhe për përmirësimin e efiçiencës energjetike të ndërtesës së selisë së ESM-së. Projekti pritet të shoqërohet me një grant investimi prej 2.9 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian, përmes programit rajonal për efiçiencën energjetike në Ballkanin Perëndimor.
Sipas BERZH-it, projekti synon të ndihmojë në dekarbonizimin e sistemit të ngrohjes qendrore të Shkupit, përmirësimin e performancës së ESM-së dhe sigurisë së furnizimit me energji, si dhe kursimin e energjisë dhe ujit. Kredia do të garantohet nga shteti, përcjell Energy Monitor.
Ky është financimi i dytë i ESM-së nga BERZH që del në diskutim gjatë këtij muaji. Më herët, banka njoftoi se po shqyrtonte një kredi prej 33.1 milionë eurosh për sistemin e baterive 100 MW/400 MWh në Manastir. Projekti i baterive ka kosto totale të vlerësuar prej 98 milionë eurosh.
Sipas të dhënave të BERZH-it, projekti i ri për ngrohjen qendrore ka kosto totale të vlerësuar prej 38.9 milionë eurosh, ndërsa aktualisht është në fazën e shqyrtimit dhe ende nuk është miratuar përfundimisht.



