Home / Lajme / Kosova / Raporti i Atlasit: 21,6% e familjeve në Kosovë nuk e përballonin ngrohjen e duhur në vitin 2024

Raporti i Atlasit: 21,6% e familjeve në Kosovë nuk e përballonin ngrohjen e duhur në vitin 2024

Në Kosovë, rreth 79 mijë ekonomi familjare nuk kanë mundësi ta ngrohin banesën siç duhet, ndërsa gratë që drejtojnë familjet janë më pak të përfaqësuara në kontratat e subvencionuara të energjisë elektrike. Këto janë disa nga gjetjet e raportit “Varfëria energjetike dhe pabarazia gjinore në Kosovë”, të publikuar nga Instituti Atlas në partneritet me Fondacionin Heinrich Böll.

Sipas raportit, në vitin 2024, 21,6% e ekonomive familjare nuk mund ta përballonin ngrohjen adekuate. Të dhënat për vitin 2025 tregojnë se 13,9% e popullsisë jetonte në familje që nuk mund ta mbanin banesën mjaftueshëm të ngrohtë, ndërsa 28,3% jetonte në ekonomi familjare që kishin vonesa në pagesën e faturave të shërbimeve publike, transmeton Energy Monitor.

Varfëria energjetike lidhet jo vetëm me të ardhurat, por edhe me mënyrën e ngrohjes dhe gjendjen e banesave. Druri është burimi kryesor i ngrohjes në 63,8% të banesave. Te 20% e popullsisë me të ardhurat më të ulëta, 90,6% ngrohen kryesisht me dru, krahasuar me vetëm 1,2% të grupit me të ardhurat më të larta.

Kjo krijon kufizime për skemat e ndihmës që mbështeten në zbritjet e faturave të energjisë elektrike. Për familjet që ngrohen me dru, një subvencion i tillë nuk mbulon domosdoshmërisht shpenzimin kryesor të ngrohjes. Për më tepër, drutë zakonisht blihen para fillimit të dimrit, ndërsa mbështetja përmes faturave shpërndahet gjatë disa muajve.

Gjendja e banesave e thellon problemin. Raporti vlerëson se 24,5% e ekonomive familjare jetojnë në banesa me lagështi në mure, dysheme ose themele. Në 16,4% të rasteve, banesat kanë kulme që rrjedhin, ndërsa 13,4% kanë korniza të dëmtuara të dritareve ose dysheme të dëmtuara. Këto kushte rrisin nevojën për ngrohje dhe e bëjnë më të vështirë ruajtjen e temperaturës së përshtatshme.

Gratë më pak të përfaqësuara në subvencione

Raporti nxjerr në pah edhe dallimet gjinore në varfërinë energjetike. Gratë drejtojnë rreth 12,6% të ekonomive familjare në Kosovë, ose afërsisht 46.200 familje, por në emër të tyre janë vetëm 9,7% e kontratave të përfituesve të subvencioneve për energji elektrike.

Sipas autorëve, familjet e drejtuara nga gratë janë përgjithësisht më të varfra se mesatarja. Megjithatë, mungesa e të dhënave të rregullta të ndara sipas gjinisë e vështirëson vlerësimin e plotë të problemit dhe identifikimin e familjeve që kanë më shumë nevojë për mbështetje.

Të dhënat e vitit 2018, të cilat raporti i identifikon si të vetmet të dhëna të drejtpërdrejta të ndara sipas gjinisë për këtë çështje, tregojnë se 49% e grave që jetonin vetëm nuk mund ta mbanin banesën mjaftueshëm të ngrohtë, krahasuar me 41% të burrave që jetonin vetëm. Vonesa në pagesën e faturave raportohej nga 48% e grave që jetonin vetëm, kundrejt 39% të burrave në të njëjtën situatë, përcjell Energy Monitor.

Pozita ekonomike e grave, pjesëmarrja më e ulët në tregun e punës dhe mbështetja më e madhe te pensionet e remitencat mund ta shtojnë cenueshmërinë. Raporti vëren gjithashtu se gratë e moshuara kanë më shumë gjasa të marrin pensionin bazik të moshës, i cili është më i ulët se pensioni kontributpagues.

Komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian përballen me privim më të thellë

Sipas raportit, 29,7% e pjesëtarëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian nuk mund ta mbajnë banesën mjaftueshëm të ngrohtë, ndërsa 55,9% kanë vonesa në pagesën e faturave. Në këto komunitete, 77% e familjeve nuk mund ta përballojnë një shpenzim të papritur prej 200 eurosh.

Këto familje përballen edhe më shpesh me probleme të banimit, përfshirë lagështinë, kulmet që rrjedhin dhe dritaret ose dyshemetë e dëmtuara. Raporti argumenton se politikat e mbështetjes duhet t’i marrin parasysh këto dallime, në vend që të mbështeten vetëm te të ardhurat ose përfitimi nga asistenca sociale.

Projektligji për Energjinë parasheh krijimin e një regjistri të konsumatorëve të cenueshëm, ku do të përfshihen të dhëna për gjininë, moshën, gjendjen sociale dhe ekonomike, si dhe statusin e varfërisë energjetike. Megjithatë, sipas raportit, kriteret e propozuara nuk i marrin mjaftueshëm parasysh përbërjen e familjes, burimin e ngrohjes dhe gjendjen e banesës.

Kërkohet përkufizim kombëtar dhe mbështetje para dimrit

Instituti Atlas rekomandon që Kosova deri në dhjetor të vitit 2026 të miratojë një përkufizim kombëtar të varfërisë energjetike, të shoqëruar me objektiva për uljen e saj. Raporti propozon që përqindja e familjeve që nuk mund ta përballojnë ngrohjen adekuate të ulet nga 21,6% në vitin 2024 në më pak se 10% deri më 2030, me objektiva të veçanta për familjet e drejtuara nga gratë dhe komunitetet rom, ashkali e egjiptian.

Për regjistrin e konsumatorëve të cenueshëm, rekomandohet që vlerësimi të mos kufizohet te të ardhurat, por të përfshijë edhe numrin dhe përbërjen e anëtarëve të familjes, personat e moshuar që jetojnë vetëm, burimin e ngrohjes dhe kushtet e banimit. Institucionet duhet gjithashtu të publikojnë çdo vit të dhëna të ndara sipas gjinisë, komunës, madhësisë së familjes dhe llojit të ngrohjes.

Raporti kërkon edhe lehtësimin e procedurave për kalimin e kontratave të energjisë elektrike në emër të grave që realisht drejtojnë familjet. Për familjet që ngrohen me dru ose pelet, propozohet që ndihma të jepet para fillimit të sezonit të ngrohjes, për shembull përmes pagesave të drejtpërdrejta ose kuponëve për blerjen e lëndëve djegëse, shkruan Energy Monitor.

Përtej subvencioneve sezonale, rekomandohen programe të financuara plotësisht për renovimin e banesave të familjeve më të varfra, me izolim, ndërrim të dritareve dhe pajisje më efikase të ngrohjes. Për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian propozohet një program i posaçëm që kombinon përmirësimin e banesave me ndihmën për aplikim në skemat e mbështetjes.

Sipas raportit, Agjencia e Statistikave të Kosovës duhet të publikojë të dhëna për numrin e familjeve sipas gjinisë së kryefamiljarit, ndërsa institucionet përgjegjëse dhe KEDS-i duhet t’i harmonizojnë të dhënat për përfituesit e subvencioneve. Qendrat për Punë Sociale duhet të kenë gjithashtu kapacitete dhe financim për t’i ndihmuar personat e moshuar dhe qytetarët që nuk kanë qasje në shërbimet digjitale.

Raporti është përgatitur nga Instituti Atlas në partneritet me Fondacionin Heinrich Böll. Autorët theksojnë se pa të dhëna të besueshme dhe masa që marrin parasysh dallimet mes familjeve, ndihma për varfërinë energjetike rrezikon të mos i arrijë në mënyrë të barabartë ata që kanë më shumë nevojë.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com