Home / Lajme / Kosova / Prodhuesi në Mamushë mbulon deri në 40% të konsumit të energjisë me panele diellore

Prodhuesi në Mamushë mbulon deri në 40% të konsumit të energjisë me panele diellore

Prodhuesi kosovar i miellit dhe ambalazheve industriale ka investuar mbi 200 kW në energji diellore përmes programit SME Go Green, të mbështetur nga BERZH-i dhe Bashkimi Evropian. Investimi po i ndihmon kompanisë të ulë shpenzimet operative dhe të ruajë konkurrueshmërinë në tregjet e eksportit.

Një pjesë e konsiderueshme e energjisë elektrike që i nevojitet kompanisë Birlik në Mamushë, pranë Prizrenit, tashmë sigurohet nga panelet diellore të instaluara në objektet e saj të prodhimit. Sistemi fotovoltaik me kapacitet mbi 200 kW mbulon rreth 30–40% të nevojave të kompanisë për energji elektrike, duke ulur varësinë nga furnizimi përmes rrjetit dhe shpenzimet e përditshme të prodhimit, përcjell Energy Monitor.

E themeluar në vitin 1978 si biznes familjar në sektorin e bujqësisë, Birlik më vonë u orientua drejt prodhimit të miellit, ndërsa në vitin 1997 zgjeroi veprimtarinë edhe në prodhimin e thasëve dhe ambalazheve industriale. Sot, kompania punëson rreth 30 persona dhe furnizon tregun vendor dhe atë rajonal.

Rreth 70% e prodhimit të saj eksportohet në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi. Për një kompani me këtë profil eksportues, kostot e energjisë janë një faktor i rëndësishëm për konkurrueshmërinë, veçanërisht në kushtet e rritjes së çmimeve të energjisë elektrike dhe luhatjeve të kostove të lëndëve të para.

“Me investimin në panele diellore me kapacitet mbi 200 kW kemi arritur kursime të konsiderueshme në shpenzimet e energjisë elektrike. Aktualisht, rreth 30–40% të nevojave tona për energji i mbulojmë nga prodhimi vetanak. Gjatë muajve të verës, kur prodhimi i energjisë diellore rritet, kjo përqindje pritet të jetë edhe më e lartë, duke e bërë investimin jo vetëm të qëndrueshëm, por edhe strategjik për të ardhmen e biznesit”, tha Fikret Morina, drejtor i Birlikut.

Investimi është realizuar në kuadër të programit SME Go Green, të zbatuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) me mbështetjen e Bashkimit Evropian (BE). Pas verifikimit të investimit, kompania u kualifikua për një grant të financuar nga BE-ja, që mbulon 15% të vlerës së kredisë. Përveç mbështetjes financiare, Birlik ka përfituar edhe asistencë teknike falas për përgatitjen e dokumentacionit dhe realizimin e investimit.

Kompania ka shprehur interesim për zgjerimin e mëtejshëm të investimeve të tilla, nëse krijohen mundësi të reja financimi.

41 projekte në Kosovë përmes SME Go Green

Programi SME Go Green ka mbështetur deri më tani 450 projekte në Ballkanin Perëndimor, duke mobilizuar investime me vlerë mbi 80 milionë euro që nga fillimi i tij në fund të vitit 2023.

Në Kosovë, 41 projekte kanë siguruar qasje në financim prej më shumë se 8 milionë eurosh. Pjesa më e madhe e investimeve është orientuar drejt sektorit të prodhimit, me mbi 3 milionë euro, ndërsa tregtia me pakicë dhe shërbimet kanë përfituar 2,6 milionë euro dhe ndërtimtaria rreth 1 milion euro, raporton Energy Monitor.

Projektet e tjera përfshijnë investime në bujqësi dhe agrobiznes, industrinë ushqimore dhe të pijeve, si dhe sektorin mjekësor. Përveç sistemeve fotovoltaike, financimi ka mbështetur automjete elektrike, stacione të karikimit, pajisje prodhuese me konsum më të ulët të energjisë, izolim të ndërtesave dhe teknologji të tjera që përmirësojnë efiçiencën.

Sipas të dhënave të programit, deri në fund të shtatorit 2026, investimet e mbështetura në nivel rajonal kishin mundësuar kursime vjetore të energjisë prej më shumë se 680.000 gigaxhaulësh (GJ) dhe reduktim të emetimeve të dioksidit të karbonit prej mbi 62.650 tonësh në vit.

Në Kosovë, programi ka kontribuar gjithashtu në mbështetjen e më shumë se 1.450 vendeve të punës.

Kredi dhe grante për investime të gjelbra

SME Go Green synon të lehtësojë qasjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në financimin e investimeve që ulin konsumin e energjisë dhe ndikimin mjedisor, si dhe përmirësojnë produktivitetin dhe konkurrueshmërinë.

Në Kosovë, programi zbatohet përmes institucioneve financiare partnere NLB Banka Prishtina, ProCredit Bank Kosova, Raiffeisen Bank Kosova dhe TEB Kosova. Financimi bankar plotësohet me grante të financuara nga BE-ja dhe asistencë teknike falas.

Për investimet në burime të ripërtëritshme të energjisë, agrobiznes dhe zinxhirët përkatës të vlerës, granti mund të mbulojë 15% të vlerës së kredisë, ndërsa për kategoritë e tjera të investimeve të pranueshme arrin në 10%.

Programi parasheh gjithashtu mbështetje të veçantë për ndërmarrjet e udhëhequra nga gratë, me synimin që ato të përbëjnë 25% të bizneseve përfituese. Një e treta e investimeve synohet të orientohet drejt transformimit të gjelbër të agrobiznesit dhe zinxhirëve të tij të vlerës.

Rasti i Birlikut tregon se investimet në energji diellore nuk janë vetëm një masë për uljen e ndikimit mjedisor, por edhe një vendim ekonomik që mund t’u ndihmojë prodhuesve kosovarë të kontrollojnë më mirë kostot, të modernizojnë veprimtarinë dhe të ruajnë pozicionin e tyre në tregjet rajonale.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com