Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka mbajtur konsultime me palët e interesit për ndryshimin e rregullave që përcaktojnë mënyrën e funksionimit të konsumatorëve që prodhojnë energji elektrike për nevojat e tyre nga burimet e ripërtëritshme. Ndryshimet synojnë përshtatjen e skemës së vetëkonsumit me kërkesat e legjislacionit të ri, si dhe krijimin e kushteve më të qarta për kompensimin e energjisë së tepërt, përdorimin e baterive dhe kyçjen në rrjet.
Konsultimi është mbajtur më 5 nëntor 2026, në kuadër të procesit të përgatitjes së Koncept-Dokumentit për përditësimin e Rregullës për Vetë-Konsumatorët me Burime të Ripërtëritshme të Energjisë. Dokumenti është hartuar nga ZRRE-ja me mbështetjen e konsulentëve dhe financimin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Nisma lidhet me zbatimin e Ligjit Nr. 08/L-258 për Promovimin e Përdorimit të Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë, i cili kërkon përshtatjen e kuadrit rregullativ për zhvillimin e mëtejshëm të prodhimit të decentralizuar të energjisë, përcjell Energy Monitor.
Ndryshimet e propozuara përfshijnë ruajtjen e pragjeve aktuale të kapacitetit për kategoritë e ndryshme të konsumatorëve, përcaktimin e kapacitetit të instalimeve në përputhje me kapacitetin e kontraktuar të kyçjes dhe kufizimet teknike të rrjetit, si dhe trajtimin e energjisë së tepërt të injektuar në rrjet sipas çmimit të tregut një ditë para në bursën ALPEX.
Një tjetër propozim është zgjatja e periudhës së shfrytëzimit të kredisë monetare për energjinë e prodhuar dhe të injektuar në rrjet deri në një vit kalendarik. Dokumenti trajton gjithashtu mekanizmat për rikuperimin e kostove të rrjetit, procedurat e shkallëzuara të regjistrimit dhe rregullat për konsumatorët që veprojnë bashkërisht, përcjell Energy Monitor.
Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe sistemeve të ruajtjes së energjisë me bateri dhe krijimit të një kornize më transparente për menaxhimin e kufizimeve lokale të rrjetit elektrik.
ZRRE-ja kishte publikuar më herët propozimet kryesore të koncept-dokumentit, duke hapur konsultimin me palët e interesit për ndryshimin e rregullës ekzistuese. Ndër çështjet kryesore ishte edhe kalimi nga kompensimi tradicional i energjisë së tepërt drejt një modeli që merr për bazë çmimin e tregut.
Gjatë takimit të 5 nëntorit, ZRRE-ja ka theksuar rëndësinë e përfshirjes së të gjithë akterëve relevantë në procesin e konsultimit publik. Institucioni ka vlerësuar se kontributet e tyre janë të rëndësishme për shqyrtimin e propozimeve të ndryshme dhe për hartimin e zgjidhjeve rregullative që mbrojnë interesin e përgjithshëm dhe të drejtat e konsumatorëve.
Përfaqësuesit e BERZH-it kanë vlerësuar bashkëpunimin me rregullatorin dhe kanë riafirmuar rëndësinë e mbështetjes së iniciativave që kontribuojnë në zhvillimin e sektorit energjetik dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.
Sipas ZRRE-së, procesi ndodhet në fazën e dytë, që përfshin konsultimin me palët e interesit për koncept-dokumentin. Komentet dhe rekomandimet e pranuara do të shqyrtohen gjatë finalizimit të tij dhe do të shërbejnë si bazë për hartimin e rregullës së amendamentuar, përcjell Energy Monitor.
Pas kësaj, drafti i rregullës së re do t’i nënshtrohet një konsultimi tjetër publik, përpara finalizimit dhe miratimit sipas procedurave rregullative.
Rritja e numrit të familjeve dhe bizneseve që instalojnë panele fotovoltaike për vetëprodhim e ka shtuar rëndësinë e përshtatjes së rregullave për këtë kategori konsumatorësh. Deri në verën e vitit 2026, kapaciteti i autorizuar për vetëkonsum në Kosovë kishte arritur në rreth 40 megavatë.
Zhvillimi i këtij segmenti është pjesë e transformimit të sistemit energjetik drejt prodhimit më të decentralizuar, ku konsumatorët nuk janë vetëm blerës të energjisë elektrike, por edhe prodhues që mund të shfrytëzojnë energjinë për nevojat e tyre dhe të injektojnë tepricën në rrjet.



