Pesë digat e reja të paralajmëruara nga kryeministri Albin Kurti nuk janë përfshirë si investime me financim të qëndrueshëm në projeksionet buxhetore të Kosovës për vitet e ardhshme, ndërsa për vitin 2027 janë paraparë vetëm 1.5 milionë euro.
Sipas raportimit të Kohës, ndonëse Qeveria ka përfshirë këtë shumë në Projektbuxhetin e vitit 2027, mjetet për projektet e digave nuk figurojnë në projeksionet për vitet 2028 dhe 2029. Kostoja e përgjithshme e pesë projekteve vlerësohet në rreth gjysmë miliardi euro, përcjell Energy Monitor.
Kurti kishte paralajmëruar ndërtimin e digave në Desivojcë, Dragaqinë, Firajë, Kuçicë dhe Pollatë, duke i paraqitur si pjesë të një pakete më të gjerë investimesh në infrastrukturën energjetike dhe ujore.
Në një intervistë në KTV në maj, ai kishte deklaruar se ndërtimi i pesë digave do të fillonte gjatë mandatit të ri dhe se investimi për to do të arrinte në rreth 400 milionë euro.
Projektet synojnë krijimin e rezervuarëve të ujit, me mundësi shfrytëzimi edhe për prodhimin e energjisë elektrike, varësisht nga zgjidhjet teknike që do të përcaktohen.
Ndërkohë, në shtator, ministrja e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli Dalipi, kishte njoftuar se Kosova po planifikon ndërtimin e pesë digave të reja dhe synon anëtarësimin në Komisionin Ndërkombëtar për Diga të Mëdha (ICOLD), kishte raportuar Energy Monitor.
Ajo kishte theksuar rëndësinë e forcimit të ekspertizës dhe kapaciteteve institucionale për projektimin, ndërtimin dhe sigurinë e digave. Megjithatë, përtej paralajmërimeve dhe angazhimeve institucionale, mungesa e mjeteve në projeksionet buxhetore afatmesme ngre pikëpyetje për dinamikën e realizimit të këtyre investimeve.
Digat mund të kenë rëndësi edhe për sigurinë energjetike, pasi rezervuarët mundësojnë menaxhimin e ujërave dhe, në rast të integrimit me kapacitete hidroenergjetike, ofrojnë fleksibilitet për prodhimin e energjisë elektrike. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për Kosovën, e cila synon diversifikimin e burimeve të prodhimit dhe përmirësimin e sigurisë së furnizimit.
Në programin energjetik të Lëvizjes Vetëvendosje, pesë digat ishin paraqitur si pjesë e planeve për investime të mëdha publike dhe zhvillimin e sektorit energjetik.
Për momentin, megjithatë, ndarja e vetëm 1.5 milionë eurove për vitin 2027 dhe mungesa e financimit të paraparë për dy vitet pasuese tregojnë se realizimi i projekteve mbetet i varur nga përgatitja e tyre dhe sigurimi i burimeve të mëdha financiare.



