Home / Lajme / Energjia e ripërtëritshme / INDEP kundërshton tarifën e propozuar për panelet solare për vetkonsum, kërkon mbrojtjen e investimeve ekzistuese

INDEP kundërshton tarifën e propozuar për panelet solare për vetkonsum, kërkon mbrojtjen e investimeve ekzistuese

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka kundërshtuar propozimin për vendosjen e një tarife vjetore për konsumatorët që prodhojnë energji elektrike për vetëkonsum nga panelet solare, duke kërkuar që Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) të dëshmojë paraprakisht kostot reale që këta konsumatorë ia shkaktojnë rrjetit të shpërndarjes.

Reagimi i INDEP-it lidhet me procesin e ndryshimit të Rregullës për Vetëkonsumatorët me Burime të Ripërtëritshme të Energjisë, të iniciuar nga ZRrE-ja në kuadër të përafrimit të saj me Ligjin për Promovimin e Përdorimit të Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë.

Në komentet e paraqitura gjatë konsultimit për koncept-dokumentin, INDEP shpreh shqetësimin për propozimin që tarifa vjetore për vetëkonsumatorët të llogaritet në bazë të fuqisë së inverterit të instaluar.

Sipas këtij instituti, një mekanizëm i tillë rrezikon t’i japë përparësi rikuperimit të të hyrave të operatorit të rrjetit, pa dëshmuar në mënyrë të mjaftueshme se sa kushton realisht shërbimi i rrjetit për secilin vetëkonsumator dhe sa nga këto kosto tashmë mbulohen përmes faturave të energjisë elektrike.

INDEP kërkon që ZRrE-ja të marrë parasysh edhe përfitimet që sjell prodhimi i energjisë pranë vendit të konsumit, përfshirë ndikimin në ngarkesën e rrjetit dhe uljen e nevojës për furnizim nga burime të tjera.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga instituti lidhet me konsumatorët që tashmë kanë investuar në sisteme solare. INDEP vlerëson se ndryshimi i kushteve gjatë periudhës së kthimit të investimit mund të zvogëlojë përfitimet e tyre financiare, veçanërisht nëse tarifa e re aplikohet edhe për sistemet ekzistuese.

Sipas propozimit të trajtuar në koncept-dokument, periudha e kreditimit prej 12 vjetësh duhet të shoqërohet me garanci të qarta për konsumatorët që kanë investuar tashmë. INDEP kërkon që ndikimi financiar i ndryshimeve të llogaritet dhe të paraqitet në euro, si dhe të përcaktohen kushtet kalimtare për këta konsumatorë.

Instituti ka kërkuar gjithashtu që ZRrE-ja ta obligojë KEDS-in të përditësojë rregullisht Hartën e Kapaciteteve të Distribucionit, në mënyrë që qytetarët dhe bizneset të mund të kuptojnë paraprakisht nëse rrjeti në zonën e tyre ka kapacitet për kyçjen e sistemeve të reja solare.

Sipas INDEP-it, çdo refuzim apo kufizim i kyçjes duhet të arsyetohet me shkrim dhe t’i nënshtrohet mbikëqyrjes së rregullatorit.

Ndryshimet e propozuara nga ZRrE-ja prekin edhe mënyrën e kompensimit dhe kreditimit të energjisë së tepërt që vetëkonsumatorët e injektojnë në rrjet, si dhe mekanizmat për mbulimin e kostove të rrjetit.

Procesi aktualisht është në fazën e shqyrtimit të koncept-dokumentit. Pas kësaj faze, ZRrE-ja pritet të hartojë draft-rregullën, e cila do t’i nënshtrohet një konsultimi tjetër publik para miratimit.

INDEP kërkon që tarifat eventuale dhe ndikimi i tyre në investimet e familjeve dhe bizneseve të bëhen të qarta gjatë këtij procesi, duke theksuar se çdo ndryshim duhet të marrë parasysh edhe sigurinë juridike dhe financiare të konsumatorëve që kanë investuar tashmë në energjinë solare.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com