Home / Lajme / Kosova / FKEE përgatitet të hapë thirrjen për rinovimin e 400 ndërtesave publike me 86 milionë euro

FKEE përgatitet të hapë thirrjen për rinovimin e 400 ndërtesave publike me 86 milionë euro

Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) është në përgatitjet përfundimtare për hapjen e thirrjes publike për zbatimin e masave të efiçiencës së energjisë në deri në 400 ndërtesa publike në Kosovë, përcjell Energy Monitor.

Përgatitjet u diskutuan në një takim ndërmjet drejtoreshës menaxhuese të FKEE-së, Njomza Hoxha, dhe drejtorit menaxhues të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për Evropën Juglindore, Grzegorz Zielinski, i cili ishte i shoqëruar nga drejtori menaxhues i BERZH-it në Kosovë.

Programi parasheh investime në rinovimin e ndërtesave publike në nivel qendror dhe lokal, me qëllim të uljes së konsumit të energjisë, përmirësimit të kushteve për përdoruesit dhe reduktimit të emetimeve të gazrave serrë.

Pakoja financiare e projektit arrin në rreth 86 milionë euro dhe përbëhet nga 50 milionë euro kredi nga BERZH-i përmes Qeverisë së Kosovës, 12.6 milionë euro bashkëfinancim nga Qeveria dhe 20 milionë euro grante nga donatorët ndërkombëtarë, përfshirë Bashkimin Evropian dhe Fondin Danez për Kosovën. Pjesë e financimit janë edhe 3.4 milionë euro për asistencë teknike, mbështetjen e njësisë zbatuese dhe studimet e fizibilitetit, transmeton Energy Monitor.

Sipas BERZH-it, masat e parapara përfshijnë termoizolimin e ndërtesave, përmirësimin ose zëvendësimin e sistemeve të ngrohjes, ndriçimit dhe instalimeve elektrike, si dhe ndërrimin e dyerve dhe dritareve. Projekti synon kursime të energjisë prej 30 deri në 50 për qind në ndërtesat që do të rinovohen.

Drejtoresha menaxhuese e FKEE-së, Njomza Hoxha, prezantoi përgatitjet për hapjen e thirrjes, përmes së cilës institucionet dhe komunat do të mund të aplikojnë për përfshirjen e objekteve të tyre në program.

Drejtori i BERZH-it, Grzegorz Zielinski, vlerësoi përgatitjet e Fondit dhe rikonfirmoi mbështetjen e bankës për investimet në efiçiencën e energjisë në Kosovë.

Programi për ndërtesat publike konsiderohet projekti më i madh i këtij lloji në Kosovë dhe pritet të kontribuojë në uljen e shpenzimeve të institucioneve për energji dhe mirëmbajtje, si dhe në zvogëlimin e ngarkesës së përgjithshme mbi sistemin elektroenergjetik.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com