Menaxhmenti i KEDS-it ka marrë pjesë në një takim të organizuar me akterët kryesorë të projekteve të Bashkimit Europian që synojnë avancimin dhe digjitalizimin e sistemit elektroenergjetik në vend. Në takim mori pjesë Kryeshefi Ekzekutiv i KEDS, Alpin Dogan, së bashku me anëtarët e ekipit të tij, Avni Alidemaj, Turan Kocabayraktar dhe Alush Mexhuani.
Gjatë diskutimeve, përfaqësuesit e KEDS-it theksuan gatishmërinë e kompanisë për të kontribuar në projektet kërkimore të rrjetit distributiv dhe për të marrë pjesë në iniciativa testuese të financuara nga fondet e BE-së. Bashkëpunimi me akademinë, KOSTT-in dhe institucione të tjera evropiane u cilësua si thelbësor për rritjen e kapaciteteve teknike dhe inovacionit në sektor.
Në takim ishte i pranishëm edhe Filip Rzharov nga ekipi evropian i koordinimit, si dhe përfaqësues nga KOSTT dhe UBT. Gjatë prezantimeve, u shfaq një aplikacion i ri që mundëson monitorim të avancuar të transformatorëve, pajisjeve të mbrojtjes, kabllove, baterive dhe ndërprerësve, si dhe sisteme inteligjente për parashikimin dhe lokalizimin e defekteve në linjat ajrore. Po ashtu, u prezantuan teknologji për vlerësim dinamik të kapaciteteve të rrjetit.
Sipas pjesëmarrësve, këto zgjidhje teknologjike synojnë të rrisin sigurinë dhe efikasitetin e rrjetit, duke mundësuar integrim më të madh të burimeve të ripërtëritshme të energjisë – një kërkesë në rritje për sistemin energjetik të vendit.



