Home / Lajme / Rrjeti elektrik / Pretendohet se po pengohet zhvendosja e shtyllave elektrike te objekti i ri i Fakultetit të Bujqësisë, Policia në vendin e ngjarjes

Pretendohet se po pengohet zhvendosja e shtyllave elektrike te objekti i ri i Fakultetit të Bujqësisë, Policia në vendin e ngjarjes

Në oborrin e objektit të ri të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë të Universitetit të Prishtinës janë duke qëndruar menaxhmenti i Fakultetit dhe disa policë.

KALLXO.com merr vesh se Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS) e ka njoftuar Policinë pasi nuk i është mundësuar qasja në dy tenda të tyre që janë përballë objektit të ri të Fakultetit.

Ekipi i KALLXO.com raporton nga vendi i ngjarjes se rruga për të shkuar te tendat e KEDS-it është bllokuar nga traktorë.

KALLXO.com e ka siguruar një deklarim të rektorit Arben Hajrullahu në lidhje me këtë çështje, pasi për të ai i raportoi Këshillit Drejtues të UP-së në mbledhjen e sotme, më 03.12.2025. Kurse, KEDS nuk i është përgjigjur pyetjeve të KALLXO.com deri në publikimin e lajmit.

Rektori Hajrullahu tha se në objektin e ri të Fakultetit do të zhvendosen shtyllat elektrike dhe telat elektrikë, mirëpo që të barten telat elektrikë duhet që tendat e KEDS-it të largohen.

Sipas tij, telat e tensionit të lartë nuk mund të zhvendosen në qoftë se ka ndonjë objekt përfundi. 

Problemi me shtyllat elektrike në këtë objekt e ka pamundësuar funksionalizimin e tij tash e sa kohë.

Ai ka treguar se në ora 12:10, më 03.12.2025, me traktorë e kanë bllokuar rrugën në Fakultetin e Bujqësisë, që sipas tij është rrugë e UP-së dhe që të dërgon te tendat e KEDS-it.

“Dje e kanë dërgu një email këta KEDS-i, në tokën e UP-së i kanë ndërtu do tenda aty, e shfrytëzojnë tokën e UP-së për kohë të gjatë… Në korrik, unë u kam shkru letër, u kam thanë largoni ato tenda që janë duke i shfrytëzu si depo aty” – tha Hajrullahu.

Fillimisht, rektori Hajrullahu mori informacion se policët e kanë marrë dekanin e Fakultetit të Bujqësisë, Arben Musliu. Pastaj ai u detyrua ta lëshojë mbledhjen dhe fliste në telefon me Policinë.

“E thirra komandantin e Policisë së Prishtinës, ata po thonë nuk e kena ndalu dekanin po duhet me dhanë një deklaratë në stacion të Policisë. Unë u thash: Policia në tokë të UP-së nuk ka çka lypë aty hiç, rruga nuk është publike” – ka thënë Hajrullahu në mbledhjen e Këshillit Drejtues.

Një tender me vlerë të parashikuar prej 1 milion e 641 mijë euro për “Funksionalizimin e objektit të ri të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë” ishte hapur më 13.05.2024. Këtë tender, Universiteti i Prishtinës e anuloi 11 ditë më vonë, përkatësisht më 24.05.2024, me arsyetimin se “ka mungesë të fondeve” për këtë projekt.