Home / Lajme / Rrjeti elektrik / KEDS: Bllokimi i depove nga Fakulteti i Bujqësisë rrezikon sigurinë dhe cilësinë e furnizimit me rrymë

KEDS: Bllokimi i depove nga Fakulteti i Bujqësisë rrezikon sigurinë dhe cilësinë e furnizimit me rrymë

Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS) ka reaguar lidhur me ngjarjen në oborrin e objektit të ri të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë të Universitetit të Prishtinës, ku vazhdojnë të qëndrojnë menaxhmenti i Fakultetit dhe disa policë.

Sipas KEDS-it, Fakulteti i Bujqësisë ka bllokuar hyrjen në Depon Qendrore të saj në Zonën Industriale të Prishtinës, duke pretenduar se parcela në fjalë është pronë e Fakultetit.

“Megjithatë, kjo hapësirë është në shfrytëzim të KEDS-it që nga fillimi i operimeve të kompanisë, si pasardhëse e shfrytëzimit të mëhershëm nga KEK-u”- thuhet në përgjigjen e KEDS për KALLXO.com.

Sipas KEDS-it, lidhur me të njëjtën tokë aktualisht ekziston një kontest pronësor i hapur në Gjykatën e Prishtinës nga një qytetar i komunitetit serb, i cili pretendon se prona është e tij.

“Procesi gjyqësor është duke u zhvilluar që nga viti 2022 dhe, si palë shfrytëzuese, ne nuk mund të ndërmarrim asnjë veprim derisa të përfundojë procedura ligjore”- thuhet në përgjigje.

Sipas KEDS-it, bllokimi i kësaj depo rrezikon sigurinë dhe cilësinë e furnizimit me rrymë.

“Bllokimi i Depos Qendrore, ku janë të vendosura qindra transformatorë dhe pajisje të tjera të rrjetit distributiv, rrezikon drejtpërdrejt sigurinë dhe cilësinë e furnizimit me energji elektrike. Në rast të ndonjë prishjeje, nga kjo depo furnizohen të gjitha depot rajonale në mbarë Kosovën, prandaj pamundësia për të lëvizur pajisjet e nevojshme e cenon seriozisht reagimin e shpejtë dhe mbarëvajtjen e sistemit”- thuhet tutje në përgjigjen e KEDS.

Kompania i ka bërë thirrje Fakultetit të Bujqësisë që t’i mundësojë qasjen në depo në mënyrë që të garantojnë funksionimin normal të rrjetit dhe ofrimin e shërbimeve esenciale për të gjithë qytetarët e Kosovës deri në përfundimin e procesit të rregullt gjyqësor.

“Veprimet e njëanshme të tilla nuk e zgjidhin asnjë problem, përkundrazi vetëm i thellojnë ato”- thuhet tutje në përgjigje.