Banorë të fshatit Kqiç i Vogël kanë ngritur shqetësime serioze lidhur me ndërprerjet e shpeshta dhe të zgjatura të energjisë elektrike, duke e cilësuar situatën si të papërballueshme, sidomos në këto ditë me temperatura të ulëta, shkruan Mitropol.
Sipas ankesës së dërguar në redaksi, fshati ka mbetur pa rrymë dje që nga ora 09:30 ose 10:00 e mëngjesit. Banorët thonë se ndonëse një ekip ka dalë në terren, furnizimi me energji nuk është rikthyer deri vonë.
“Ekipi ka hequr siguresat në trafo dhe nuk i ka vendosur. Na kanë lënë kështu dhe i kemi telefonu dje vazhdimisht, por askush nuk po na jep zgjidhje”, thuhet në ankesë.
Sipas banorëve, u është thënë se rryma nuk do të rikthehet deri rreth orës 07:00 të mëngjesit të sotëm, gjë që po rëndon edhe më shumë situatën, duke marrë parasysh temperaturat e ulëta dhe kushtet e vështira atmosferike.
“Është tepër ftohtë. Në fshat ka njerëz të sëmurë me grip, ka edhe fëmijë të vegjël. Askush nuk po merret seriozisht me rastin”, shprehen ata.
Një tjetër ankesë nga fshati Kqiç i Vogël lidhet me ndërprerjet e vazhdueshme të energjisë elektrike gjatë natës, problem që, sipas banorëve, po përsëritet prej më shumë se një jave.
Sipas denoncimit, prej shtatë ditësh radhazi, energjia elektrike ndërpritet çdo natë nga ora 19:00, duke i lënë banorët pa rrymë për orë të tëra.
“Që nga data 30 dhjetor, kemi mungesë të rrymës çdo natë. Nga ora 7 e mbrëmjes na e ndalin energjinë dhe askush nuk jep sqarime”, thuhet në ankesë.
Banorët shprehen se, pavarësisht njoftimeve dhe ankesave të vazhdueshme, nuk ka pasur asnjë zgjidhje konkrete apo trajtim serioz të problemit nga ana e KEDS-it.
Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme dhe trajtim të barabartë me zonat e tjera, duke theksuar se mungesa e energjisë gjatë natës po ndikon drejtpërdrejt në jetën e përditshme, shëndetin dhe sigurinë e familjeve.



