Në Santa Marta të Kolumbisë është përmbyllur një konferencë ndërkombëtare mbi tranzicionin energjetik, ku rreth 60 shtete kanë diskutuar për planet drejt largimit gradual nga qymyri, nafta dhe gazi, në përpjekje për të përshpejtuar kalimin global drejt energjisë së pastër.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, përfshirë The Guardian, takimi shënoi një ndryshim të qartë në qasjen globale, duke u fokusuar jo më vetëm në objektiva klimatike të përgjithshme, por në hartimin e “udhëpërshkruesit” për heqjen graduale të karburanteve fosile.
Nisma, e organizuar nga Kolumbia dhe Holanda, mblodhi vende që përfaqësojnë rreth një të tretën e ekonomisë globale, ndërsa disa nga ekonomitë më të mëdha dhe ndotësit kryesorë nuk morën pjesë në takim, përcjell Energy Monitor.
Në diskutime u theksua se vendet pjesëmarrëse po kalojnë nga debati në veprim, duke përfshirë plane kombëtare për mbylljen graduale të qymyrit, naftës dhe gazit, si dhe reformimin e subvencioneve për karburantet fosile.
Edhe pse takimi nuk prodhoi marrëveshje detyruese, ai u konsiderua si një hap i rëndësishëm politik drejt krijimit të një kornize të re ndërkombëtare për tranzicionin energjetik. Konferenca pritet të pasohet nga një tjetër takim në vitin 2027, ku synohet thellimi i planeve konkrete të zbatimit.
Sipas pjesëmarrësve, sfida kryesore mbetet financimi i tranzicionit, veçanërisht për vendet në zhvillim, si dhe krijimi i mekanizmave që garantojnë një kalim të drejtë dhe të qëndrueshëm nga ekonomia e bazuar në fosile drejt asaj të energjisë së ripërtëritshme.



