Home / Lajme / Rajoni / BERZH shqyrton kredi prej 53 milionë eurosh për projektin “Blue” me 160 MW diellore dhe 60 MW bateri në Shqipëri

BERZH shqyrton kredi prej 53 milionë eurosh për projektin “Blue” me 160 MW diellore dhe 60 MW bateri në Shqipëri

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) po shqyrton miratimin e një kredie prej 53 milionë eurosh për financimin e ndërtimit dhe operimit të një projekti të madh energjetik në Shqipëri, që përfshin një central fotovoltaik me kapacitet prej rreth 160 MWp dhe një sistem të integruar të ruajtjes së energjisë me bateri (BESS) me fuqi prej 60 MW.

Financimi pritet t’u jepet dy kompanive projektuese, SPV Blue 2 dhe SPV Blue 3, të cilat janë pjesë e të ashtuquajturit “Blue Project”. Sipas njoftimit të BERZH-it, projekti mund të përfitojë gjithashtu nga një mekanizëm garancie nga Bashkimi Evropian përmes Fondit Evropian për Zhvillim të Qëndrueshëm Plus (EFSD+), që synon të mbështesë investimet në energji të pastër dhe tranzicionin energjetik.

Projekti “Blue” zhvillohet nga grupi shqiptar Blessed Investment dhe kompania Matrix Konstruksion. Kapaciteti fillestar i tri centraleve diellore ishte planifikuar në rreth 136 MW, por investitorët kanë paralajmëruar zgjerim të mëtejshëm të projektit me deri në 400 MW shtesë, përcjell Energy Monitor.

Një pjesë e projektit tashmë është në operim. Centrali Blue 1 ka nisur prodhimin e energjisë në maj të vitit 2024, ndërsa Blue 2 u vu në punë gjatë këtij viti.

Integrimi i një sistemi baterik me kapacitet 60 MW do t’i mundësojë projektit të ruajë energjinë e prodhuar gjatë orëve me prodhim të lartë dhe ta injektojë atë në rrjet në periudhat me kërkesë më të madhe, duke rritur fleksibilitetin dhe stabilitetin e sistemit elektroenergjetik shqiptar.

Nëse miratohet, kjo kredi do të përfaqësojë një nga financimet më të rëndësishme të BERZH-it për projekte private të energjisë diellore me ruajtje në bateri në Shqipëri, duke reflektuar trendin në rritje të kombinimit të burimeve të ripërtëritshme me teknologjitë e ruajtjes së energjisë.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com