Home / Lajme / Rajoni / Mali i Zi miraton plan veprimi për përballimin e krizave të mundshme në furnizimin me karburante

Mali i Zi miraton plan veprimi për përballimin e krizave të mundshme në furnizimin me karburante

Qeveria e Malit të Zi ka miratuar një plan veprimi për menaxhimin e situatave të jashtëzakonshme që mund të shkaktohen nga ndërprerjet në furnizimin global me naftë dhe gaz, si dhe nga rritjet e papritura të çmimeve të karburanteve.

Sipas Ministrisë së Energjisë dhe Minierave të Malit të Zi, dokumenti përcakton procedurat dhe përgjegjësitë institucionale në rast të çrregullimeve serioze në tregun e karburanteve, duke përfshirë aktivizimin e rezervave shtetërore dhe masat për rikthimin e furnizimit normal në treg.

Plani i ri i kushton vëmendje të veçantë mbrojtjes së konsumatorëve prioritarë, si institucionet shëndetësore, shërbimet emergjente, institucionet publike dhe sektorët me rëndësi strategjike për funksionimin e shtetit dhe jetën e përditshme të qytetarëve, përcjell Energy Monitor.

Ministria vlerësoi se, ndonëse furnizimi me karburante në Mal të Zi aktualisht është i qëndrueshëm, zhvillimet gjeopolitike dhe pasiguritë në rrugët kryesore të transportit ndërkombëtar tregojnë se tregjet energjetike mund të goditen shumë shpejt.

Në fund të marsit, qeveria malazeze uli akcizën mbi karburantet për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Aktualisht, çmimi i Eurodieselit në Mal të Zi është 1.67 euro për litër, ndërsa pa këtë masë do të ishte 1.78 euro për litër.

Autoritetet malazeze e konsiderojnë miratimin e këtij plani si një hap të rëndësishëm për forcimin e sigurisë energjetike dhe përgatitjen e shtetit për reagim të shpejtë në rast të krizave të mundshme në tregun e naftës.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com