Home / Lajme / Rajoni / Operatorët e sistemeve të transmetimit në Ballkan: Rrjetet duhet të zhvillohen me ritmin e tranzicionit energjetik

Operatorët e sistemeve të transmetimit në Ballkan: Rrjetet duhet të zhvillohen me ritmin e tranzicionit energjetik

Tranzicioni i gjelbër në Ballkan nuk varet më vetëm nga ndërtimi i kapaciteteve të reja të energjisë së ripërtëritshme, por gjithnjë e më shumë nga aftësia e rrjeteve të transmetimit për të përballuar këtë zhvillim të shpejtë.

Ky ishte mesazhi kryesor i panelit “Krijimi i një rrjeti të fuqishëm transmetimi: Roli thelbësor i operatorëve të sistemeve të transmetimit në Ballkan në tranzicionin e gjelbër”, të mbajtur në kuadër të Belgrade Energy Forum 2026.

Përfaqësuesit e operatorëve të sistemeve të transmetimit (TSO) nga rajoni theksuan se investimet në rrjet, digjitalizim dhe sisteme të ruajtjes së energjisë janë të domosdoshme për të garantuar sigurinë e furnizimit me energji elektrike në kushtet e dekarbonizimit të përshpejtuar, ka raportuar Balkan Green Energy News.

Drejtoresha e përgjithshme e Elektromreža Srbije (EMS), Jelena Matejić, deklaroi se rrjeti serb është i përgatitur të integrojë deri në 12 gigavat kapacitete të reja nga burimet e ripërtëritshme gjatë gjashtë viteve të ardhshme.

Sipas saj, EMS ka investuar 620 milionë euro gjatë dekadës së fundit, ndërsa deri në vitin 2030 planifikon investime shtesë prej rreth 1 miliard eurosh në rrjetin e transmetimit, teknologji digjitale dhe zgjidhje inovative.

Nga ana tjetër, drejtori ekzekutiv i operatorit malazez Crnogorski elektroprenosni sistem (CGES), Ivan Asanović, paralajmëroi se stabiliteti i sistemit nuk duhet të lihet në plan të dytë, transmeton Energy Monitor.

Ai rikujtoi ndërprerjen rajonale të energjisë elektrike në qershor 2024, kur Mali i Zi, pjesë të Shqipërisë, Kroacisë dhe Bosnje e Hercegovinës mbetën pa energji elektrike, duke e cilësuar këtë ngjarje si një sinjal serioz paralajmërues.

Në panel mori pjesë edhe Milan Vukasović nga Austrian Power Grid, i cili theksoi se edhe rrjetet më të zhvilluara në Evropë po përballen me vështirësi në përmbushjen e kërkesave për lidhje të kapaciteteve të reja pa optimizimin e infrastrukturës ekzistuese dhe investime të konsiderueshme.

Sipas tij, Austria humb rreth 1 miliard euro në vit për shkak të diferencave të çmimeve me tregun gjerman dhe rritjes së çmimeve negative të energjisë elektrike, çka nënvizon nevojën për më shumë fleksibilitet dhe interkoneksione ndërkufitare.

Përfundimi i përbashkët i diskutimit ishte se tranzicioni energjetik në Ballkan dhe në Evropë nuk mund të realizohet pa modernizimin e rrjeteve të transmetimit, forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe investime të mëdha në teknologji të avancuara dhe sisteme të ruajtjes së energjisë.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com