Home / Lajme / Rrjeti elektrik / Ankohen banorët nga Sllatina e Epërme: rryma e dobët po ua vështirëson jetën

Ankohen banorët nga Sllatina e Epërme: rryma e dobët po ua vështirëson jetën

Banorët e fshatit Sllatinë e Epërme në komunën e Vitisë, përkatësisht në lagjen e Gjinollëve në rrugën “Njazi Rexhepi”, po përballen me probleme serioze me furnizimin me energji elektrike.

Sipas ankesës së tyre, tensioni i rrymës ka rënë në nivele shumë të ulëta, duke arritur vetëm 160 deri në 180 volt, çka po e bën të pamundur përdorimin normal të pajisjeve shtëpiake, përfshirë edhe gatimin.

Banorët theksojnë se, pavarësisht se pagesat për energjinë elektrike i kryejnë me rregull, situata vazhdon të mbetet e njëjtë. Ata bëjnë të ditur se rreth 80 shtëpi furnizohen nga një trafo e vetme, gjë që sipas tyre po e rëndon edhe më shumë gjendjen.

Edhe pse kanë protestuar për këtë problem, deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim konkret nga institucionet përgjegjëse. Banorët kërkojnë zgjidhje urgjente për këtë çështje që po ua vështirëson jetën e përditshme.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com