Home / Lajme / Kosova / Qeveria miraton shpronësimin për zgjerimin e mihjes së KEK-ut dhe emëron Bordin e Korporatës së Ruajtjes së Energjisë

Qeveria miraton shpronësimin për zgjerimin e mihjes së KEK-ut dhe emëron Bordin e Korporatës së Ruajtjes së Energjisë

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për shpronësim për interes publik të pronave në zonat kadastrale Siboc, Shipitullë, Leshkoshiq, Hade dhe Palaj në Komunën e Obiliqit, për nevoja të zgjerimit të mihjes sipërfaqësore të thëngjillit për Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).

Ky vendim synon të sigurojë vazhdimësinë e furnizimit me thëngjill për termocentralet e Kosovës, të cilat prodhojnë pjesën më të madhe të energjisë elektrike në vend.

Në të njëjtën mbledhje, Qeveria emëroi Bordin e Drejtorëve të Energy Storage Corporation, e njohur në shqip si Korporata e Ruajtjes së Energjisë (KRE), ndërmarrjes publike që do të zhvillojë dhe operojë projektet e ruajtjes së energjisë me bateri.

Në përbërje të bordit u emëruan Bujar Haxha si kryesues, ndërsa Fisnik Musai, Violeta Arifi-Krasniqi dhe Mimoza Byqmeti si anëtarë.

Korporata e Ruajtjes së Energjisë do të ketë rol kyç në realizimin e projektit strategjik për instalimin e sistemeve për ruajtjen e energjisë me bateri me kapacitet prej 250 MWh, i cili financohet në kuadër të programit të Millennium Challenge Corporation (MCC). Një kapacitet shtesë prej 90 MWh do të menaxhohet nga KOSTT.

Përveç këtyre vendimeve, Qeveria miratoi edhe një sërë shpronësimesh të tjera për projekte infrastrukturore, rialokime buxhetore dhe themelimin e mekanizmave të rinj institucionalë.

Vendimet e miratuara konsiderohen të rëndësishme për garantimin e sigurisë energjetike të vendit dhe për avancimin e investimeve në teknologjitë moderne të ruajtjes së energjisë.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com