Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka folur për reduktimet e energjisë elektrike në Kosovë dhe për përgjegjësitë institucionale në menaxhimin e sistemit energjetik.
Ajo tha se Ministria e Ekonomisë dhe Qeveria nuk kanë kompetenca të drejtpërdrejta në mbikëqyrjen e operatorëve të sistemit, por theksoi se institucionet përkatëse duhet të informojnë me kohë qytetarët për çdo ndërprerje të energjisë, duke sqaruar arsyet dhe kohëzgjatjen e tyre.
Rizvanolli shtoi se mbikëqyrësi i tregut energjetik është Zyra e Rregullatorit për Energji, ndërsa operatorët janë përgjegjës për komunikimin me qytetarët.
Ajo përmendi edhe një prishje të madhe në një nga nënstacionet kryesore të Ferizajt, e cila sipas saj ka shkaktuar probleme të vazhdueshme në furnizim me energji.
Sipas informatave nga KEDS, ajo tha se pritet që situata në Ferizaj të sanohet deri më 20 maj./EO



