GIZ Kosovo dhe Oda Ekonomike Gjermano Kosovare (OEGJK-KDWV) kanë nënshkruar një marrëveshje të re granti që synon të forcojë bashkëpunimin ndërmjet investitorëve, institucioneve publike, institucioneve financiare dhe zhvilluesve të projekteve të energjisë së ripërtëritshme në Kosovë.
Projekti zhvillohet në kuadër të iniciativës “Mbështetje për Partneritetin për Klimë dhe Tranzicion Energjetik”, e cila synon të krijojë ura të reja bashkëpunimi ndërmjet bizneseve gjermane dhe aktorëve të sektorit energjetik në Kosovë.
Sipas GIZ-it, potenciali në rritje i Kosovës për energjinë e ripërtëritshme krijon mundësi të reja për investime dhe bashkëpunim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, por realizimi i këtyre mundësive kërkon koordinim më të mirë ndërmjet zhvilluesve të projekteve, investitorëve, institucioneve financiare dhe autoriteteve publike, përcjell Energy Monitor.
Në kuadër të projektit do të organizohen forume investimesh, tryeza diskutimi me palët e interesit dhe aktivitete për lidhjen e drejtpërdrejtë të investitorëve me projektet konkrete të energjisë në Kosovë, përcjell Energy Monitor.
Qëllimi është që projektet e gatshme për investim të kenë më shumë ekspozim te investitorët potencialë, të lehtësohet kuptimi i kërkesave rregullative dhe financiare, si dhe të krijohen partneritete afatgjata ndërmjet kompanive gjermane dhe zhvilluesve kosovarë të projekteve energjetike.
Projekti mbështetet nga Ministria Federale Gjermane për Mjedisin, Mbrojtjen e Natyrës, Sigurinë Bërthamore dhe Mbrojtjen e Konsumatorit përmes Iniciativës Ndërkombëtare për Klimën (IKI) dhe zbatohet nga GIZ, transmeton Energy Monitor.
Ky bashkëpunim vjen në një periudhë kur Kosova po përpiqet të përshpejtojë zhvillimin e kapaciteteve të reja nga energjia diellore dhe e erës, përfshirë përmes ankandeve të energjisë së ripërtëritshme, projekteve private dhe reformave për integrimin më të madh të burimeve të pastra në sistemin elektroenergjetik.



