Home / Lajme / Kosova / RCC: Tranzicioni energjetik mund të krijojë mijëra vende pune në Kosovë

RCC: Tranzicioni energjetik mund të krijojë mijëra vende pune në Kosovë

Tranzicioni energjetik mund të krijojë mijëra vende pune në Kosovë deri në vitin 2030, veçanërisht në energjinë diellore, atë të erës dhe efiçiencën e energjisë, por zgjerimi i sektorit po rrit edhe nevojën për profesionistë me aftësi teknike dhe inxhinierike.

Këshilli Rajonal i Bashkëpunimit (RCC) e ka identifikuar mungesën e aftësive të përshtatura me kërkesat e reja të sektorit si një nga sfidat kryesore të tranzicionit energjetik në Ballkanin Perëndimor. Studimi i publikuar më 22 shtator trajton punësimin, boshllëqet në aftësi dhe nevojën për rikualifikim dhe arsimim profesional.

Për Kosovën, skenari me masa shtesë parashikon rreth 3,285 vite-punë në sektorin energjetik deri në vitin 2030. Termi “vite-punë” i referohet një viti pune për një person dhe nuk është i njëjtë me numrin e vendeve të përhershme të punës, përcjell Energy Monitor.

Pjesën më të madhe të këtyre mundësive e krijojnë burimet e ripërtëritshme. Sipas modelimit të përdorur në planifikimin energjetik të Kosovës, energjia diellore pritet të gjenerojë rreth 1,476 vite-punë në vitin 2030, ndërsa energjia e erës rreth 542. Efiçienca e energjisë parashikohet të krijojë edhe rreth 390 vite-punë.

Këto shifra lidhen me zgjerimin e kapaciteteve të reja të energjisë së ripërtëritshme. Drafti i Planit Kombëtar për Energji dhe Klimë parashikon që deri në vitin 2030 Kosova të ketë rreth 727 MW kapacitete diellore dhe 675 MW të erës, duke e çuar kapacitetin e kombinuar të këtyre dy burimeve në rreth 1.4 GW.

Megjithatë, krijimi i kapaciteteve të reja kërkon edhe fuqi punëtore që mund t’i projektojë, ndërtojë, instalojë dhe mirëmbajë këto sisteme. Kjo përfshin inxhinierë elektrikë dhe energjetikë, teknikë për instalimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve fotovoltaike, specialistë të turbinave me erë, si dhe profesionistë për rrjetet dhe teknologjitë e reja të energjisë, njofton Energy Monitor.

Problemi nuk është vetëm numri i punëtorëve, por edhe përshtatja e arsimit me kërkesat e tregut. RCC rekomandon forcimin e arsimit dhe aftësimit profesional, rikualifikimin e punëtorëve dhe përshtatjen e kurrikulave me profesionet që po krijohen nga tranzicioni energjetik.

Kosova tashmë ka nisur disa programe në këtë drejtim. Universiteti i Prishtinës dhe MCA-Kosovo po zhvillojnë Qendrën për Aftësi dhe Inovacion në Energji (CESI), e cila synon të lidhë arsimin me nevojat e industrisë dhe të ofrojë trajnime për profesionet e reja në sektorin energjetik.

Ndërkohë, edhe Korporata Energjetike e Kosovës po përballet me nevojën për zëvendësimin e një pjese të fuqisë punëtore që po del në pension. KEK ka deklaruar se rreth 200 punonjës dalin në pension çdo vit dhe se kompania ka filluar të rekrutojë inxhinierë dhe profesionistë të rinj për të mbuluar nevojat e saj të ardhshme.

Përtej energjisë diellore dhe të erës, kërkesa për aftësi të reja pritet të rritet edhe me modernizimin e rrjetit, bateritë, sistemet e menaxhimit të energjisë dhe masat e efiçiencës.

RCC thekson se tranzicioni energjetik nuk është vetëm çështje e ndërtimit të kapaciteteve të reja, por edhe e përgatitjes së fuqisë punëtore që do t’i projektojë, instalojë dhe operojë këto sisteme. Për Kosovën, kjo nënkupton që investimet në energji duhet të shoqërohen me investime paralele në arsim, aftësim profesional dhe rikualifikim.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com