Home / Lajme / Mjedisi / Kosova në Konferencën e Drinit në Strugë: theks te bashkëpunimi rajonal dhe menaxhimi i qëndrueshëm i ujërave

Kosova në Konferencën e Drinit në Strugë: theks te bashkëpunimi rajonal dhe menaxhimi i qëndrueshëm i ujërave

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e Kosovës ka marrë pjesë në Konferencën e 10-të të Palëve të Interesuara për Drinin, e mbajtur në Strugë më 2–4 qershor 2026, ku u diskutua bashkëpunimi rajonal për menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve ujore në pellgun e Drinit.

Kosova u përfaqësua nga Krenare Salihu, këshilltare dhe eksperte për mjedis dhe projekte strategjike pranë ministres Fitore Pacolli, e cila mbajti fjalën hyrëse në konferencë.

Ajo theksoi se për Kosovën, menaxhimi i pellgut të Drinit përbën prioritet strategjik dhe pjesë të rëndësishme të përgjegjësisë rajonale, duke nënvizuar se sfidat mjedisore nuk njohin kufij shtetërorë dhe kërkojnë bashkëpunim të ngushtë ndërmjet vendeve të rajonit, përcjell Energy Monitor.

Në fjalimin e saj, Salihu prezantoi angazhimin e Kosovës për kalimin nga dokumentet politike në zbatimin praktik të masave në terren, përfshirë forcimin e kornizës rregullative për burimet ujore, ndalimin e ndërtimeve në shtretërit e lumenjve, hartëzimin dhe largimin e barrierave jofunksionale nga lumenjtë, si dhe vendosjen e hidrocentraleve nën shqyrtim të rreptë institucional për respektimin e standardeve mjedisore dhe teknike.

Ajo gjithashtu theksoi rëndësinë e një fushate kombëtare për pastrimin e brigjeve të lumenjve dhe zonave përreth tyre, me qëllim reduktimin e ndotjes në rrjedhat ujore dhe në pellgjet ndërkufitare.

Në kuadër të Procesit të Drinit, Kosova shprehu mbështetjen për themelimin e një Komisioni formal të Pellgut të Drinit, si mekanizëm i përhershëm për zbatimin e marrëveshjeve dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor rikonfirmoi përkushtimin e saj për mbrojtjen e burimeve ujore, përafrimin me Direktivën Kornizë të BE-së për Ujërat dhe Agjendën e Gjelbër të BE-së, si dhe për menaxhim të qëndrueshëm të pellgut të Drinit.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com