Ekspertë të energjisë vlerësojnë se Kosova duhet të gjejë mënyra për ta shfrytëzuar më mirë potencialin e rezervave të saj të thëngjillit, në një kohë kur Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka lidhur marrëveshje trevjeçare me kompaninë shtetërore të energjisë së Maqedonisë së Veriut, EMV, për shitjen e thëngjillit.
Marrëveshja, me vlerë deri në 73.2 milionë euro, parasheh shitjen e rreth 1.7 milionë tonë thëngjill gjatë tri viteve. Sipas KEK-ut dhe Ministrisë së Ekonomisë, eksporti nuk pritet të ndikojë në furnizimin e termocentraleve të Kosovës, ndërsa marrëveshja synon rritjen e të hyrave të KEK-ut dhe eliminimin e ndërmjetësuesve.
Por ekspertja universitare Bukurije Hoxha vlerëson se Kosova duhet t’i shfrytëzojë më mirë resurset e saj për prodhim vendor të energjisë. Sipas saj, ndërsa vende të tjera vazhdojnë ta konsiderojnë qymyrin si një prej burimeve të mundshme për prodhimin e energjisë, në Kosovë shfrytëzimi i tij shpesh shihet vetëm në aspektin negativ.
“Pse vendet fqinje dhe vendet e tjera në botë arrijnë ose e shohin qymyrin si një prej burimeve të mundshme të shfrytëzimit për prodhim të energjisë, kurse në rastin e Kosovës një diçka e tillë çdo herë i ndalohet, ose merret në aspektin negativ?”, ka thënë Hoxha.
Hoxha ngre gjithashtu çështjen e sigurisë së furnizimit, duke vlerësuar se Kosova ende nuk arrin t’i mbulojë të gjitha nevojat e saj për energji vetëm përmes kapaciteteve vendore.
Në anën tjetër, eksperti i energjisë Azmer Dulevic vlerëson se marrëveshja i jep Maqedonisë së Veriut një nivel të caktuar stabiliteti, pasi qymyri do të blihet me çmim të përcaktuar për tri vjet.
“Maqedonia ka përfitimin sepse po e blen qymyrin me një çmim fiks për tre vite. Supozojmë, nëse çmimi i qymyrit në tregjet ndërkombëtare do të rritet, pra nuk preket Maqedonia. Na jep një stabilitet”, ka thënë Dulevic.
Transporti dhe kostoja për Kosovën
Një tjetër çështje që ngrihet nga ekspertët është mënyra e transportit të thëngjillit drejt Maqedonisë së Veriut.
Eksperti i energjisë Adhurim Haxhimusa thotë se nëse thëngjilli transportohet përmes autostradës “Ibrahim Rugova”, dëmtimi i mundshëm i infrastrukturës duhet të merret parasysh në koston e marrëveshjes.
“Do të duhet që të merret parasysh edhe dëmtimi i autostradës në koston e kësaj kontrate, ashtu që në fund Ministria e Infrastrukturës të marrë përsipër rinovimin apo sjelljen në gjendjen normale të autostradës.”
Për këtë arsye, Haxhimusa e sheh transportin hekurudhor si alternativë më të përshtatshme për sasi të mëdha të thëngjillit.
Ekspertët kanë ngritur shqetësime edhe për ndikimin mjedisor të nxjerrjes së thëngjillit. Sipas tyre, krahas përfitimeve ekonomike nga eksporti, duhet të merren masa për mbrojtjen dhe rehabilitimin e zonave ku nxirret qymyri.



