Home / Lajme / Kosova / Rizvanolli: Efiçienca e energjisë do të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për familjet në nevojë

Rizvanolli: Efiçienca e energjisë do të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për familjet në nevojë

Investimet në efiçiencën e energjisë në shtëpitë e familjeve të cenueshme po sjellin ulje të ndjeshme të konsumit, ndërsa Qeveria e Kosovës po e lidh këtë lloj investimi gjithnjë e më shumë me politikat sociale.

Kështu deklaroi ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, gjatë vizitës në dy shtëpi përfituese të projektit “E Ardhmja e Energjisë së Gjelbër”, në Prishtinë dhe Mitrovicën e Jugut.

“Efiçienca e energjisë ose prodhimi i energjisë, kursimi, tranzicioni energjetik janë koncepte që duken ndoshta abstrakte, mirëpo në fakt ato janë shumë të prekshme dhe fillojnë që nga shtëpitë tona”, tha Rizvanolli.

Ajo theksoi se investimet në efiçiencë duhet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë te qytetarët, ndërsa programi aktual është orientuar te familjet më të cenueshme.

“Këtë radhë jemi fokusuar te familjet më të cenueshme, ku të gjitha familjet përfituese janë familje që janë në skemën e asistencës sociale dhe janë përzgjedhur ato që kanë më së shumti nevojë”, tha Rizvanolli.

Në shtëpinë e familjes Dragidella në Prishtinë janë realizuar investime në termoizolimin e fasadës dhe çatisë. Sipas Ministrisë së Ekonomisë, familja kishte konsumuar më shumë se 85 MWh energji në vit, ndërsa pas ndërhyrjeve konsumi pritet të ulet dhe shpenzimet për energji të reduktohen me rreth 74%.

“Pas investimeve që janë bërë në termoizolimin e fasadës dhe të çatisë. Kjo familje ka konsumuar mbi 85 megavat-orë në vit dhe tash do të ketë një rënie të konsumit, por edhe kushte më të mira brenda, që do të thotë më ngrohtë gjatë dimrit dhe më freskët gjatë verës, me një zbritje të shpenzimeve të energjisë prej rreth 74 për qind”, tha kryeministri në detyrë, Albin Kurti, përcjell Energy Monitor.

Një tjetër familje përfituese, ajo Tatareviq në Mitrovicën e Jugut, ka përfituar nga termoizolimi i mureve të jashtme dhe pllakës nën kulm, si dhe nga ndërrimi i dritareve dhe dyerve të hyrjes dhe tarracës. Sipas Ministrisë, këto masa pritet të ulin konsumin vjetor të energjisë me rreth 55%.

Projekti financohet nga Qeveria e Danimarkës dhe zbatohet nga UNDP në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë dhe Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE). Vlera e përgjithshme e investimeve pritet të arrijë në rreth 3 milionë euro.

Sipas Ministrisë, në kuadër të programit tashmë janë përfunduar investimet në 51 shtëpi. Objektivi është që deri në fund të vitit të përkrahen 192 familje, ndërsa deri në vitin 2028 programi të përfshijë deri në 280 familje në të gjithë Kosovën.

Ministria e Ekonomisë e paraqet programin si pjesë të tranzicionit të drejtë energjetik, ku masat për uljen e konsumit të energjisë shërbejnë njëkohësisht për përmirësimin e kushteve të banimit dhe uljen e shpenzimeve të familjeve që kanë më së shumti nevojë.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com