Kosova ka kërkuar mbështetje financiare dhe teknike nga Gjermania dhe Bashkimi Evropian për projektet e tranzicionit të gjelbër, ndërsa ka theksuar nevojën për bashkëpunim rajonal në energji, klimë, ujëra dhe mbrojtjen e natyrës.
Këto ishin disa nga çështjet kryesore të ngritura nga ministrja e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, gjatë Konferencës së Tretë Ministrore për Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, të mbajtur më 18 dhe 19 shtator në Zhabljak të Malit të Zi, në kuadër të Procesit të Berlinit. Në konferencë, vendet e Ballkanit Perëndimor miratuan Deklaratën Ministrore të vitit 2026 për Agjendën e Gjelbër.
Në takimin me Volker Oel, Drejtor i Përgjithshëm në Ministrinë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), Pacolli kërkoi mbështetje të mëtejshme gjermane për realizimin e projekteve të Kosovës përmes bashkëpunimit financiar dhe teknik të BMZ-së, përfshirë GIZ-in dhe KfW-në, njofton Energy Monitor.
Një tjetër takim u zhvillua me Bettina Hagedorn, Sekretare Parlamentare e Shtetit në Ministrinë Federale Gjermane për Mjedisin. Sipas Pacollit, diskutimet u përqendruan në mbrojtjen e ujërave dhe zonave natyrore, luftimin e deponive ilegale dhe përballjen me ndryshimet klimatike, ndërsa palët rikonfirmuan bashkëpunimin në kuadër të Agjendës së Gjelbër, me fokus në dekarbonizim, ekonomi qarkore dhe mbrojtjen e biodiversitetit.
Tranzicioni energjetik ishte pjesë e drejtpërdrejtë e angazhimeve të përbashkëta të miratuara në Zhabljak. Deklarata ministrore përcakton përshpejtimin e zbatimit të Agjendës së Gjelbër, ndërsa paketa e dokumenteve të miratuara në takim synon të krijojë bazë për veprime më të koordinuara rajonale në përballimin e ndryshimeve klimatike dhe forcimin e qëndrueshmërisë.
Në deklaratën e përbashkët, vendet e Ballkanit Perëndimor u angazhuan për përshpejtimin e tranzicionit drejt energjisë së pastër, rritjen e efiçiencës së energjisë dhe uljen e emetimeve, në përputhje me politikat e Bashkimit Evropian. Për Kosovën, këto angazhime lidhen me nevojën për investime të reja në energji të pastër dhe me përafrimin e mëtejshëm të politikave energjetike dhe klimatike me BE-në, transmeton Energy Monitor.
Pacolli kërkoi gjithashtu nga Komisioni Evropian mbështetje për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe financimin e projekteve konkrete në mjedis, klimë, ujëra, mbeturina dhe mbrojtjen e natyrës. Në takimin me Monika Hencsey, Drejtoreshë për Diplomaci të Gjelbër dhe Multilateralizëm në Drejtorinë e Përgjithshme për Mjedisin të Komisionit Evropian, ajo diskutoi edhe përafrimin e legjislacionit të Kosovës me standardet e BE-së, me fokus në Kapitullin 27.
Një nga kërkesat e ngritura nga ministrja në konferencë ishte që Kosova të trajtohet në mënyrë të barabartë me vendet e tjera të rajonit dhe të ketë qasje të plotë në mekanizmat e financimit të Bashkimit Evropian. Sipas saj, një qasje e tillë është e nevojshme për të mbështetur investimet dhe përshpejtuar zbatimin e Agjendës së Gjelbër në Kosovë.
Bashkëpunimi rajonal ishte një tjetër rezultat i takimeve në Zgabljak. Pacolli u takua me ministrin e Mjedisit të Shqipërisë, Sofjan Jaupaj, dhe ministrin e Mjedisit të Maqedonisë së Veriut, Muhamet Hoxha, me të cilët diskutoi zhvillimin e Parkut të Sharrit si park ndërkufitar që do të lidhte më fuqishëm Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Palët u dakorduan për një vizitë të përbashkët në Kosovë, ku do të vazhdojnë diskutimet për këtë nismë dhe mënyrën e konkretizimit të saj. Përveç mbrojtjes së natyrës, nisma synon të lidhë potencialin natyror të zonës me zhvillimin ekonomik lokal, përfshirë agroturizmin dhe turizmin e qëndrueshëmm, përcjell Energy Monitor.
Në nivel rajonal, Deklarata e Zhabljakut përfshin edhe masa për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, mbrojtjen e biodiversitetit, restaurimin e pyjeve, reduktimin e ndotjes nga plastika dhe forcimin e Përgjegjësisë së Zgjeruar të Prodhuesit. Dokumentet e miratuara përfshijnë Strategjinë e Ballkanit Perëndimor për Përshtatjen ndaj Ndryshimeve Klimatike, Planin Strategjik për Biodiversitetin deri në vitin 2030 dhe Planin për Restaurimin e Peizazheve Pyjore.
Për Kosovën, një pjesë e rëndësishme e këtyre angazhimeve do të varet nga financimi dhe zbatimi i projekteve konkrete. Vetë Këshilli për Bashkëpunim Rajonal ka theksuar se faza e ardhshme e Agjendës së Gjelbër duhet të kalojë nga miratimi i angazhimeve në zbatim praktik, me nevojë për financim dhe koordinim më të madh rajonal.



