Home / Lajme / Tjera / E jashtëzakonshme: Dy kompani amerikane ofertojnë për ndërtimin e baterive të MCC-së në Kosovë

E jashtëzakonshme: Dy kompani amerikane ofertojnë për ndërtimin e baterive të MCC-së në Kosovë

Dy kompani nga Shtetet e Bashkuara kanë dorëzuar ofertat për projektimin dhe ndërtimin e sistemeve të baterive për ruajtjen e energjisë në Kosovë, duke e çuar projektin prej 340 MWh në fazën e vlerësimit të ofertave.

MCA-Kosovo ka bërë të ditur se ka pranuar dy oferta për projektimin dhe ndërtimin e sistemeve të ruajtjes së energjisë me bateri (BESS), së bashku me infrastrukturën e nevojshme për lidhjen e tyre me rrjetin. Pas vlerësimit të ofertave dhe përfundimit të procedurave të prokurimit, ndërtimi pritet të nisë gjatë vitit të ardhshëm.

Projekti përfshin dy sisteme me kapacitet të kombinuar prej 170 MW dhe 340 MWh. Në Istog do të ndërtohet sistemi më i madh, me 125 MW fuqi dhe 250 MWh kapacitet ruajtës, ndërsa në Sojevë të Ferizajt është planifikuar sistemi prej 45 MW dhe 90 MWh, përcjell Energy Monitor.

Sistemi në Sojevë do të përdoret për shërbime të rezervës automatike për rikthimin e frekuencës (aFRR) dhe do të jetë në pronësi dhe operim të KOSTT-it.

Pjesa prej 125 MW/250 MWh në Istog do të menaxhohet nga Korporata për Ruajtjen e Energjisë (ESCorp) dhe pritet të përdoret edhe për shërbime të rezervës manuale (mFRR), njofton Energy Monitor.

Bateritë janë pjesë e Programit Kompakt të Kosovës, me vlerë prej 236.7 milionë dollarësh, të financuar nga Shtetet e Bashkuara përmes Millennium Challenge Corporation (MCC) dhe nga Qeveria e Kosovës.

Programi synon të rrisë sigurinë dhe fleksibilitetin e sistemit elektroenergjetik, ndërsa sistemet e ruajtjes do të mundësojnë ofrimin e rezervave, balancimin e rrjetit dhe integrimin e kapaciteteve të reja nga burimet e ripërtëritshme.

Projekti ka kaluar tashmë disa faza përgatitore. Në korrik, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kishte deklaruar se procesi ishte në fazën e prokurimit dhe se kontrata pritej të nënshkruhej rreth tetorit. Në atë kohë, pesë deri në gjashtë kompani amerikane ishin parakualifikuar për të marrë pjesë në garë.

Me dorëzimin e dy ofertave, projekti hyn tani në fazën e vlerësimit të propozimeve. Sipas MCA-Kosovo, ndërtimi i sistemeve të baterive është planifikuar të nisë vitin e ardhshëm.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com