Komisioni Evropian vlerëson se Kosova vazhdon të mbështetet te termocentralet e vjetruara me linjit, ndërsa në burimet e ripërtëritshme nuk është shënuar progres. Vonesat në miratimin e ligjeve, ankandet dhe investimet, bashkë me dobësitë në mbrojtjen e mjedisit, po e ngadalësojnë përafrimin me standardet e BE-së.
Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën 2026 jep një vlerësim kritik për zhvillimet në sektorin e energjisë, mjedisit dhe ndryshimeve klimatike, duke evidentuar ngecje në reforma të rëndësishme dhe zbatim të ngadalshëm të politikave të miratuara.
Sipas raportit, energjia vazhdon të jetë një nga pengesat kryesore për rritjen ekonomike, ndërsa Kosova nuk ka shënuar progres në zhvillimin e burimeve të ripërtëritshme, përcjell Energy Monitor.
Komisioni thekson se mbi 90 për qind e energjisë elektrike në vend prodhohet ende nga dy termocentrale me linjit, të cilat i cilëson si të vjetruara, jo të besueshme dhe shumë ndotëse. Varësia nga këto kapacitete, sipas tij, paraqet rreziqe serioze për shëndetin dhe mjedisin, ndërsa ndërprerjet e shpeshta të furnizimit e dobësojnë sigurinë energjetike.
“Ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike minojnë sigurinë energjetike, duke u imponuar kosto të larta bizneseve dhe duke dekurajuar investimet e huaja direkte”, thuhet në raport.
Komisioni vlerëson se Kosova duhet të përshpejtojë modernizimin mjedisor të Termocentralit Kosova B dhe çaktivizimin e njësive jofunksionale të Termocentralit Kosova A. Megjithatë, përtej nevojës për ndërhyrje në kapacitetet ekzistuese, raporti evidenton edhe mungesën e ritmit në zhvillimin e kapaciteteve të reja.
Ankandet dhe burimet e ripërtëritshme
Në fushën e burimeve të ripërtëritshme, vlerësimi i Komisionit është “pa progres”. Ankandi i parë për energjinë e erës, i nisur në dhjetor 2024 dhe që parashihte kapacitet deri në 100 MW, ende nuk është përmbyllur. Ndërkohë, ndërtimi i parkut fotovoltaik të Kramovikut nisi në korrik 2026, më shumë se dy vjet pas përfundimit të ankandit.
Raporti thekson se Kosova duhet të shtojë përpjekjet për përmbushjen e objektivave të përcaktuara në Strategjinë e Energjisë dhe në planin trevjeçar të ankandeve. Ky i fundit parasheh dhënien e 630 MW kapaciteteve të reja deri në vitin 2025, ndërsa Strategjia e Energjisë synon që kapacitetet e instaluara nga burimet e ripërtëritshme të arrijnë në 490 MW në vitin 2025 dhe 1.600 MW deri në vitin 2031.
Sipas të dhënave të raportit, kapaciteti i instaluar nga burimet e ripërtëritshme ishte 333 MW, ndërsa pjesëmarrja e tyre në konsumin bruto final të energjisë ishte 19,26 për qind. Objektivi i Komunitetit të Energjisë për vitin 2030 është 32 për qind.
Përveç vonesave në ankande, Kosova duhet të përfundojë edhe përafrimin e legjislacionit me Direktivën e BE-së për burimet e ripërtëritshme. Komisioni kërkon miratimin e akteve nënligjore që nevojiten për zbatimin e ligjit për energjinë e ripërtëritshme, si dhe operacionalizimin e plotë të sistemit të garancive të origjinës.
Tregu i energjisë dhe siguria e furnizimit
Në fushën e sigurisë së furnizimit, Komisioni konstaton progres të kufizuar. Një nga problemet e evidentuara është mospërputhja me legjislacionin evropian për rezervat e naftës. Kapacitetet ekzistuese të magazinimit mbulojnë vetëm 50 për qind të kërkesës së kërkuar, ndërsa miratimi i projektligjit për mbajtjen e rezervave të detyrueshme mbetet në pritje. Po ashtu, nuk janë vendosur procedurat për lirimin e rezervave emergjente, raporton Energy Monitor.
Kosova, sipas raportit, nuk planifikon zhvillimin e infrastrukturës së gazit, ndërsa mbetet i papërfunduar përafrimi me rregulloren për gatishmërinë ndaj rreziqeve në sektorin e energjisë elektrike.
Në tregun e brendshëm, miratimi i ligjeve për energjinë dhe energjinë elektrike vazhdon të jetë i vonuar, duke penguar përafrimin me Pakon për Integrimin e Energjisë Elektrike të BE-së.
Raporti evidenton disa zhvillime pozitive, përfshirë funksionalizimin e tregut brenda ditës të energjisë elektrike me Shqipërinë në dhjetor 2024, pas bashkimit të tregjeve për ditën në vijim në janar të po atij viti. Gjithashtu, në qershor 2025, rreth 1.300 konsumatorë komercialë hynë në tregun e liberalizuar pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji.
Megjithatë, marrëveshja për furnizim me shumicë ndërmjet KESCO-s dhe KEK-ut vazhdon të jetë pengesë për funksionimin e tregut të energjisë, sipas Komisionit. Në anën tjetër, operatori serb i transmisionit EMS ende nuk ka përcaktuar kapacitetet neto të transmisionit në interkoneksionin me Kosovën, duke pamundësuar alokimin e kapaciteteve ndërkufitare për pjesëmarrësit në treg.
Sa i përket matjes së konsumit, deri në kohën e raportimit ishin dorëzuar 11.000 njehsorë inteligjentë, rreth gjysma e numrit të përgjithshëm të nevojshëm, ndërsa 9.200 prej tyre ishin instaluar.
Komisioni kërkon gjithashtu krijimin e një regjistri gjithëpërfshirës të konsumatorëve në nevojë dhe përcaktimin e objektivave kombëtare për mbështetjen e familjeve në varfëri energjetike. Sipas tij, ZRRE-ja ka mungesë të stafit, ndërsa duhet të sigurohet pavarësia e saj ekonomike dhe funksionale.
Efiçienca energjetike me përparim, por ligjet mbeten në pritje
Ndryshe nga vlerësimi për burimet e ripërtëritshme, Komisioni evidenton përparim të mirë në zbatimin e masave të efiçiencës energjetike në sektorin e banimit dhe atë privat. Këto masa janë zbatuar në kuadër të Pakos së Mbështetjes për Energjinë, të financuar nga Bashkimi Evropian.
Megjithatë, Kosova ende duhet të miratojë ligjin e ri për efiçiencën e energjisë dhe aktet nënligjore për zbatimin e ligjit për performancën energjetike të ndërtesave. Komisioni kërkon gjithashtu mobilizimin e financimit shtesë dhe forcimin e kapaciteteve institucionale për të monitoruar kursimet e energjisë, përcjell Energy Monitor.
Raporti konstaton se Kosova nuk është ende e harmonizuar me legjislacionin e BE-së për etiketimin energjetik dhe dizajnin ekologjik të produkteve.
Në nivel strategjik, zbatimi i Strategjisë së Energjisë 2022–2031 dhe i planit të saj të veprimit 2022–2025 ka qenë i ngadalshëm. Miratimi i Planit Kombëtar për Energji dhe Klimë (NECP) është vonuar vazhdimisht dhe Komisioni kërkon që ai të miratohet sa më shpejt.
Ndotja, mbeturinat dhe mbrojtja e natyrës
Në kapitullin për mjedisin dhe ndryshimet klimatike, Komisioni e vlerëson Kosovën si vend në fazë të hershme të përgatitjes, me progres të kufizuar në përgjithësi. Në cilësinë e ajrit nuk është shënuar progres, ndërsa emetimet e dioksidit të squfurit (SO₂), oksideve të azotit (NOx) dhe pluhurit u rritën në vitin 2024 krahasuar me vitin paraprak dhe tejkaluan kufijtë e lejuar të emetimeve.
Në menaxhimin e mbeturinave është shënuar progres i kufizuar. Miratimi i ligjit të ri për mbeturinat mbetet në pritje, ndërsa ndryshimet në legjislacionin zbatues për sistemin e kthimit të depozitës për ambalazhet e pijeve kanë shkaktuar vonesa në krijimin e tij.
Një tjetër problem është shtimi i deponive ilegale. Sipas raportit, numri i tyre u rrit për 13,6 për qind, nga 403 në vitin 2024 në 458 në vitin 2025. Komisioni kërkon rritjen urgjente të kapaciteteve të inspektimit, miratimin dhe zbatimin e planeve ndërkomunale për menaxhimin e mbeturinave, si dhe reformimin e ndërmarrjeve publike komunale.
Raporti vë në pah edhe problemet me menaxhimin e mbeturinave industriale dhe të rrezikshme. KEK-u duhet të kryejë një vlerësim të ndikimit mjedisor dhe social për deponimin e mbeturinave të rrezikshme.
Në mbrojtjen e natyrës, identifikimi i zonave të mundshme Natura 2000 është ende në fazë shumë të hershme. Zonat e mbrojtura vazhdojnë të përballen me ndotje, mirëmbajtje të dobët, aktivitete ilegale dhe mungesë të kapaciteteve për menaxhim dhe mbikëqyrje.
Gjendja e pyjeve paraqet një tjetër shqetësim. Komisioni vlerëson se 40 për qind e pyjeve publike i nënshtrohen shfrytëzimit të pakontrolluar ose prerjeve ilegale. Në të njëjtën kohë, Kosova ka shënuar progres shumë të kufizuar në zbatimin e ligjit dhe strategjisë për pyjet.
Për menaxhimin e ujërave, miratimi i ligjit të ri dhe planeve për menaxhimin e pellgjeve lumore mbetet në pritje. Mungesa e identifikimit të zonave të ndjeshme dhe e strategjisë për menaxhimin e llumit nga impiantet e ujërave të ndotura po pengon zhvillimin e infrastrukturës për trajtimin e tyre.
Kosova duhet të përshpejtojë reformat klimatike
Në fushën e politikave klimatike, Komisioni kërkon miratimin e legjislacionit dytësor për zbatimin e Ligjit për Ndryshimet Klimatike, të miratuar në vitin 2023. Një nga prioritetet është përafrimi me rregullat evropiane për monitorimin, raportimin, verifikimin dhe akreditimin e emetimeve, si parakusht për vendosjen e çmimit të karbonit dhe përafrimin me Sistemin e Tregtimit të Emetimeve të BE-së (ETS), raporton Energy Monitor.
Plani Kombëtar për Përshtatjen ndaj Ndryshimeve Klimatike dhe NECP-ja duhet të miratohen sa më shpejt. Kosova ka miratuar kontributin e saj të parë kombëtar vullnetar për klimën (NDC) në mars 2025, por Komisioni kërkon që zbatimi i tij të sigurohet përmes kapaciteteve më të forta institucionale.
Raporti vëren se njësia për klimën në kuadër të ministrisë përkatëse është krijuar, por duhet të bëhet plotësisht funksionale. Mungesa e stafit dhe financimit vazhdon të kufizojë zbatimin e politikave klimatike dhe përafrimin me legjislacionin e BE-së.
Reformat e vonuara rrezikojnë fondet e BE-së
Vlerësimi për energjinë dhe mjedisin vjen në një kohë kur Kosova po përballet edhe me vonesa në zbatimin e Agjendës së Reformave, e cila është kusht për përfitimin nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian.
Instrumenti i Reformave dhe Rritjes parasheh deri në 882,6 milionë euro për Kosovën për periudhën 2024–2027. Nga kjo shumë, 253,3 milionë euro janë grante, ndërsa 629,3 milionë euro kredi të favorshme. Pagesat lidhen me përmbushjen e 111 hapave reformues në fusha të ndryshme, përfshirë energjinë, tranzicionin e gjelbër, sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik.
Komisioni Evropian vëren se ratifikimi i marrëveshjeve përkatëse u vonua deri në shkurt 2026 për shkak të ngërçit politik, ndërsa sistemet për menaxhimin financiar, kontrollin dhe auditimin e fondeve të BE-së mbeten në fazë të hershme. Kërkesa e parë për disbursim u dorëzua më 15 korrik 2026.
Vonesat tashmë kanë pasur pasoja financiare. Sipas të dhënave të prezantuara nga kryenegociatori i Kosovës me BE-në, Jeton Zulfaj, vendi ka humbur 43,8 milionë euro pasi nuk i ka përmbushur në afat gjashtë nga 13 hapat reformues që kishin afat deri në fund të qershorit. Për fundin e vitit janë në rrezik edhe 131,5 milionë euro të lidhura me 22 reforma të tjera.
Mes reformave të papërfunduara janë edhe miratimi i Ligjit për Energjinë dhe Ligjit për Energjinë Elektrike. Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kishte paralajmëruar më herët se vetëm për shkak të mosmiratimit të këtyre dy ligjeve Kosova rrezikonte të humbiste 9,4 milionë euro.
Komisioni Evropian thekson se vonesat në zbatimin e Instrumentit për Reforma dhe Rritje “kufizojnë rimbushjen e paketës së investimeve dhe ndikojnë në programimin dhe zbatimin e investimeve”.
Raporti për Kosovën 2026 mbulon periudhën nga shtatori 2025 deri në shtator 2026. Ai nënvizon se ngërçi institucional dhe zgjedhjet e shpeshta gjatë kësaj periudhe e ngadalësuan ritmin e reformave, por paralajmëron se institucionet tashmë funksionale duhet ta shfrytëzojnë mundësinë për të përshpejtuar zbatimin e tyre.
Për sektorin energjetik, mesazhi i raportit është se miratimi i ligjeve dhe strategjive nuk mjafton pa zbatim konkret: modernizimi i termocentraleve, ndërtimi i kapaciteteve të reja të ripërtëritshme, funksionimi i tregut dhe përmirësimi i sigurisë së furnizimit mbeten sfida që kërkojnë rezultate më të shpejta.



